Në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli” po i jepet dora e fundit përgatitjeve për koncertin më të madh simfonik që është mbajtur ndonjëherë në Durrës.

65 muzikantë të ri nga 15 vende të ndryshme europiane do të bëhen bashkë më datë 29 korrik në një koncert të madh në Amfiteatrin Romak.

Detajet i jep për “DurrësLajm” drejtori artistik i orkestrës, Desar Sulejmani.

Jemi mbledhur prej rreth 10 ditësh këtu në Durrës për të zhvilluar aktivitetin tonë të parë orkestral me orkestrën e të rinjve të Ballkanit Perëndimor. Janë 65 muzikantë të rinj nga 15 vende të ndryshme europiane, të cilët janë mbledhur këtu. Punojnë sëbashku çdo ditë, bëjnë prova intensive për të përgatitur një program simfonik, të cilin ne e prezantojmë për herë të parë në datë 29 korrik në Amfiteatrin Romak“, thotë ndër të tjera ai.

Për qytetin, ky aktivitet orkestral është i rëndësisë së veçantë.

Ne jemi shumë të lumtur, që për herë të parë në qytetin tonë vjen kjo orkestër e madhe dhe me të gjitha instrumentet, përfshirë dhe harpën, që është një instrument shumë i veçantë“, shprehet Dashamir Mehmeti, drejtor i shkollës së muzikës.

Po kaq të lumtur duken edhe pjesëtarët e orkestrës, shumica e të cilëve vijnë për herë të parë në Durrës.

Është një eksperiencë e mrekullueshme dhe një nder i madh, të jem pjesë e kësaj orkestre. Unë vij nga Rusia dhe është hera e parë që vizitoj Durrësin. Më pëlqen shumë qyteti dhe atmosfera këtu. Kam mësuar shumë dhe po punojmë fort me orkestrën për një repertor të madh, prandaj shpresoj se do të realizojmë diçka të bukur“, thotë Rezeta Valejeva.

Nën moton “Ejani të vallëzojmë”, orkestra do të luajë valle simfonike mjaft popullore nga kompozitorë të huaj, si dhe pjesë të zgjedhura nga balete të ndryshme botërore.

K.Gj.