Bulimia është një çrregullim i të ngrënit. Kjo gjendje karakterizohet nga episode të pakontrolluara të ngrënies së tepërt dhe pasohet nga të vjellat.
Por mund të bëhet edhe nga mënyra të tjera pastrimi të organizmit nga ushqimi. Të tilla mund të jenë keqpërdorim i laksativëve, diuretikëve, klizmave, apo ilaçeve të tjera që pastrojnë zorrët apo agjërimi.
Personat me bulimi ndihen sikur nuk mund të ndalojnë së ngrëni, prandaj konsumojnë sasi shumë të mëdha ushqimi në një periudhë të shkurtër kohe, zakonisht në më pak se 2 orë.
Ciklet e pastrimit nga ushqimi, mund të ndodhin nga disaherë në ditë deri në disa herë në javë.
Shumë nuk kërkojnë ndihmë derisa arrijnë moshën 30 ose 50 vjeç. Por në këtë kohë, kjo sjellje është rrënjosur thellë dhe është më e vështirë për t’u ndryshuar.
Bulimia është një gjendje e cila mund të bëhet kërcënuese për jetën, gjithashtu është pengesë për të jetuar një jetë të shëndetshme.
Kush rrezikohet?
Bulimia prek më shpesh femrat dhe fillon gjatë viteve të adoleshencës. Por, mund të prekë edhe meshkujt.
Njerëzit me bulimi kanë më shumë gjasa të vijnë nga familje me një histori të çrregullimeve të të ngrënit, sëmundjeve fizike dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor.
Sëmundje të tjera, të tilla si abuzimi me substancat, çrregullimet e ankthit dhe çrregullimet e humorit janë të zakonshme tek njerëzit me bulimi.
Çfarë e shkakton?
Shkaku i saktë bulimisë nuk dihet. Por besohet se shoqëria dhe idealet bazuar në peshën dhe formën e trupit luajnë një rol. Ekziston gjithashtu një lidhje gjenetike pasi çrregullimet e të ngrënit priren të shfaqen në familje.
Cilat janë simptomat?
Simptomat më të zakonshme të bulimisë janë:
-Episodet e përsëritura të ngrënies së tepërt dhe frika se mos nuk mund të ndaloni së ngrëni
-Të vjella të vetë-induktuara (zakonisht të kryera në fshehtësi)
-Stërvitja e tepruar
-Agjërimi i tepruar
-Zakone apo rituale të veçanta të të ngrënit
-Përdorimi i papërshtatshëm i laksativëve ose diuretikëve
-Menstruacione të parregullta
-Zakonisht personat e prekur kanë një peshë trupore normale ose mbi mesatare. Kjo i lejon ata të fshehin problemin e tyre për vite.
-Ankthi
-Ndjenjat e pakënaqësisë me veten dhe mënyrën se si duket trupi
-Depresioni
-Preokupimi me ushqimin, peshën dhe formën e trupit
-Fyti është gjithmonë i përflakur ose i lënduar
-Lodhje dhe pakësim i energjisë
-Probleme dentare për shkak të erozionit të smaltit nga të vjellat
– Abuzimi me alkoolin dhe drogën mund të jenë një tjetër shkak
Shumica e njerëzve me çrregullime të të ngrënit ndajnë gjithashtu disa tipare, duke përfshirë:
-Vetëvlerësim të ulët
-Pafuqi
-Frika nga shëndoshja
-Pakënaqësi e madhe me trupin
Simptomat e bulimisë mund të duken si probleme të tjera mjekësore ose gjendje të shëndetit mendor. Gjithmonë bisedoni mjekun për të marrë ndihmën e duhur dhe për të mirë përcaktuar gjendjen.
Si diagnostikohet bulimia?
Shpesh personat me bulimi përpiqen ta ruajnë këtë sekret edhe nga njerëzit më të afërt.
Prandaj kjo gjendje mund të jetë e veshitrë për t’u zbuluar nëse personi i prekur nuk kërkon ndihmë apo nuk bashkëpunon me mjekun.
Testet e gjakut mund të bëhen për të kontrolluar shëndetin e përgjithshëm dhe gjendjen ushqyese.
Si trajtohet?
Bulimia zakonisht trajtohet si me terapi individuale ashtu edhe me terapi familjare.
Terapia vlerëson lidhjen midis mendimeve, ndjenjave dhe sjelljeve tuaja.
Terapisti do të eksplorojë modelet e të menduarit që çojnë në veprime vetëshkatërruese dhe të ndihmojnë në ndryshimin e kësaj forme të menduari dhe vepruari.
Ilaçet (zakonisht antidepresantët ose ilaçe kundër ankthit) mund të ndihmojnë.
Familja mund të luajë një rol jetik mbështetës në çdo proces trajtimi. /AgroWeb.org