Ambasada amerikane në Tiranë thotë se në KLGJ dhe KLP janë hapur vende të lira brenda këshillave.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shprehet se përtëritja e anëtarëve të këshillave është thelbësore për mbrojtjen e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ambasada shprehet se do ta ndjekë nga afër këtë proces. Ajo i ka bërë thirrje kandidatëve të kualifikuar që të aplikojnë.

Njoftimi i ambasadës

Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë në themel të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Tashmë, janë hapur vende të lira brenda dy këshillave. Kjo përtëritje e anëtarëve të Këshillave është thelbësore për mbrojtjen e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe përparimin drejt një sistemi drejtësie të pavarur dhe të efektshëm.

Gjashtë anëtarë të rinj do t’i bashkohen çdo Këshilli – 3 anëtarë jo-magjistratë dhe 3 anëtarë magjistratë – me një mandat pesë-vjeçar.

Për anëtarët jo-magjistratë, afati i fundit për aplikim është të shtunën e ardhshme, 5 gusht 2023. Procesi administrohet nga Kuvendi. Detajet mbi procesin e aplikimit mund të gjenden këtu:

Një anëtar nga shoqëria civile: https://bit.ly/3DsUkrB (parlament.al)

Dy anëtarë nga radhët e avokatëve: https://bit.ly/3Kh22c1 (parlament.al)

Për anëtarët magjistratë, afati i aplikimit është data 4 shtator 2023. Procesi administrohet nga Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Detajet mbi proceset e aplikimit mund të gjenden këtu:

Për Këshillin e Lartë Gjyqësor: https://bit.ly/3Otenwm

Për Këshillin e Lartë e Prokurorisë: https://bit.ly/3q92eDl

Ambasada e SHBA nxit të gjithë kandidatët e kualifikuar të aplikojnë për të siguruar një proces të drejtë, konkurrues dhe një tranzicion të suksesshëm. Shtetet e Bashkuara, së bashku me partnerët tanë, do ta ndjekim nga afër këtë proces në muajt në vijim.