Qeveria shqiptare ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me ish-Prokuroren Antonete Sevdari, e cila pak muaj më parë fitoi gjyqin në Strasburg kundër Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që e shkarkoi atë nga detyra.

Kështu, ish-prokurorja do të marrë nga shteti shqiptar shumën prej 24600 euro.

Në vendimin e qeverise thuhet se 19 600 do ti marrë në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

“Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar”, thotë qeveria.

Po ashtu në vendimin e qeverisë thuhet se “Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %”.

VENDIMI

EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 13.12.2022, PËR ÇËSHTJEN “SEVDARI KUNDËR SHQIPËRISË” (PËR KËRKESËN NR.40662/19)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19, përfundimtar në datën 13.3.2023, në shumën 19 600 (nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) euro, në lidhje me dëmin pasuror dhe jopasuror, si dhe në shumën 5 000 (pesë mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohet shuma në datën e kryerjes së pagesës.

Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkueses Antoneta Sevdari, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 13.12.2022, “Sevdari kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.40662/19.

Pagimi i shumës të depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkueses Antoneta Sevdari, bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita kur vendimi i gjykatës është bërë përfundimtar.

Mbi shumën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, duke filluar nga data 13.6.2023 deri në datën e ekzekutimit të këtij vendimi, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3 (tre) %.

Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2023.

Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.