Një shfaqje e përgatitur në vetëm 11 ditë, mijëra kilometra larg atdheut të tyre, por e sjellë me mjaft dashuri e ngjyra.

Baleti klasik “Princesha e akullit”, premiera e të cilit u vu në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, u realizua nga yjet e baletit klasik të Ukrainës.

Artistët e një vendi në luftë treguan se pavarësisht dramës që po kalon vendi dhe familjarët e tyre, ata dinë të bëjnë art dhe ta sjellin atë me mjaft mjeshtëri para publikut.

Për koreografin Andreas Heise dhe primabalerinën Irinia Khandazhevska, përgatitja e premierës së kësaj shfaqjeje në Durrës mbarte një emocion të veçantë.

“Ka qenë një periudhë shumë intensive, sepse ishim të limituar nga koha për të realizuar këtë shfaqje. Por gjithashtu ishte një kënaqësi e madhe dhe u ndjemë të mirëpritur këtu në Shqipëri. Mikpritja e teatrit të Durrësit ishte e mrekullueshme dhe na ka befasuar”,- tha koreografi Heise.

“Jam shumë e emocionuar dhe i jam falenderuese zotit për këtë mundësi. Jam shumë falenderuese për mikpritjen e autoriteteve këtu në Durrës. Në Ukrainë është një situatë mjaft e komplikuar dhe është vërtet një mrekulli që ne mund të vijojmë punën tonë dhe t’i prezantojmë botës këtë balet të ri, të prezantojmë kulturën ukrainase dhe baletin klasik të vendit tonë”,– tha Khandazhevska për “DurrësLajm”.  

Me një skenografi mbresëlënëse dhe interpretimin virtuoz të të gjithë trupës së baletit, publiku durrsak, por edhe shumë ukrainas që ndodhen prej muajsh në vendin tonë shijuan për një orë e gjysëm mrekullinë e një përralle, ku dashuria triumfon, të inspiruar nga Hans Kristian Andersen dhe filmi i animuar i Disney-t “Frozen”.

Pa sponsor, por vetëm me dëshirën e madhe për të bërë art, trupës së baletit klasik të Ukrainës iu akordua një certifikatë mirënjohjeje nga kryebashkiakja Emiriana Sako.

Për ambasadorin ukrainas Volodymyr Shkurov të bësh art në këto kohë të vështira për Ukrainën është një sakrificë e vërtetë.

Pas performancës në Durrës, trupa e baletit klasik të Ukrainës do të udhëtojë drejt Tokios, Japoni, për të bërë performancën e radhës.

M.B.