Në seancën plenare të Parlamentit të Shqipërisë, datë 20.07.2023, Deputeti i Partisë Demokratike Z. Gazmend Bardhi gjatë fjalës së tij ka përmendur Drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit duke aluduar mbi procesin e rekrutimit të saj dhe nxjerrjen e sekretit gjatë kryerjes së detyrës.

Byroja Kombëtare e Hetimit vlerëson të bëjë me dije:

Procesi i rekrutimit të gjithë punonjësve, në zbatim të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar, duke filluar që nga Drejtori i BKH-së, kalon në disa faza të detajuara, të mirëpërcaktuara nga një Komision i përbërë nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, dhe dy Prokuror të Posaçëm, si dhe është monitoruar në çdo fazë nga një Komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale të caktuar nga misionet e SHBA -së dhe BE-së.

Byroja Kombëtare e Hetimit gjatë kryerjes së detyrës udhëhiqet nga misioni për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet, në mënyrë të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, me kryefjalë ”ruajtjen e sekretit për çdo veprim që kryen “, në bazë të ligjeve në fuqi.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit i ka të parashikuara në ligj shumë qartë detyrat funksionale përsa i përket pjesës hetimore dhe asaj administrative e organizative. Parashikimet ligjore nuk i japin të drejtë Drejtorit të BKH-së të njihet, marrë apo të kërkojë informacion mbi hetime, kur nuk është vetë i përfshirë në kryerjen e veprimeve si hetues.

Byroja Kombëtare e Hetimit si një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore që heton veprat penale në juridiksionin penal të Prokurorisë së Posaçme, nga fillimi i funksionimit të saj ka treguar integritet, paanshmëri, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen e misionit të saj, kjo e shprehur edhe me rezultatet e deritanishme.

Garantojmë opinionin publik se çdo dyshim keqdashës i pabazuar që cenon imazhin e institucionit nga cilido dhe kudo, nuk do të na pengojë dhe as do të ndikoj në përmbushjen e detyrimeve tona ligjore.