Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar kontrollet e dedikuara, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Si rezultat i kontrolleve të dedikuara, është arrestuar në flagrancë një shtetas që drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike, duke e ccuar në 24 numrin e drejtuesve të automjeteve që kanë rezultuar në efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan, gjatë këtij viti.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në vijim të kontrolleve për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë automjetet, në mënyrë të parregullt, arrestuan në flagrancë shtetasin A. H., 29 vjeç.
Ky shtetas u ndalua për kontroll pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar automjetin, në mënyrë të parregullt. Pas testimit me aparatin AquilaScan, rezultoi se ky shtetas po e drejtonte automjetin, në efektin e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjatë shoqërimit në Komisariat, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.