Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, gjatë monitorimit të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me qëllim garantimin e sigurisë së plazhistëve, kanë konstatuar 3 mjete lundruese që kishin shkelur perimetrin e sigurisë dhe rrezikonin jetën e plazhistëve.
-Në Potam, Himarë, është konstatuar një mjet lundrues skaf që po lundronte jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar mjetin lundrues skaf dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij, me masën administrative 100 000 Lekë të rinj.
-Në Borsh, është konstatuar një anije turistike që ishte bregëzuar në vendin e quajtur “Krorëz”, jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese. Po në Borsh, është konstatuar një mjet lundrues skaf që po lundronte jashtë zonës së përcaktuar për mjetet lundruese.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Borsh kanë bllokuar 2 mjetet lundruese dhe kanë ndëshkuar secilin nga drejtuesit, me masën administrative 100 000 lekë të rinj.
2 mjetet lundruese që kanë shkelur perimetrin e sigurisë në Borsh, janë shfaqur edhe në disa video të postuara në rrjetet sociale.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete./t