Raporti i sapopublikuar i Komisionit Evropian “Shqipëria Screening 2023” paraqet vlerësimin e tij për situatën në Shqipëri pas përfundimit të raundit të parë të bisedimeve Shqipëri-BE lidhur përparimin drejt standardeve që kërkon anëtarësimi, që nga hapja e negociatave në korrik 2022.
Sipas vlerësimeve të Komisionit Evropian (KE) Shqipëria paraqitet me një përgatitje të moderuar dhe me përputhje të pjesëshme të legjislacionit të saj me atë të BE në disa sektorë dhe në nivel të lartë në sektorë të tjerë ku lë për të dëshëruar zbatimi i ligjeve.
Korrupsioni i zyrtarëve të lartë i paklasifikuar si krim i rëndë
“Kuadri legjislativ dhe institucional i Shqipërisë për anti-korrupsionin është pjesërisht në përputhje me legjislacionin e BE. Masat kundër korrupsionit vazhdojnë të kenë, në përgjithësi një ndikim të kufizuar në sektorë te tillë të cënueshëm si infrastruktura publike, kadastra, të drejtat pronësore, doganat, taksat, administrate publike, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike dhe kontratat Partneritet Publik-Privat.
Ndaj zyrtarëve të lartë ka patur disa dënime përfundimtare për akuzat për korrupsion por deri më tani asnjë dënim nuk i është referuar klasifikimit të akteve të korrupsionit si krim i rëndë, ” theksohet në raportin e KE.
Sipas raportit “Shqipëria është pjesërisht në linjë me direktivën e BE, të Parlamentit dhe Këshillit Evropian për luftën kundër mashtrimit”.
“Ekzistojnë dispozita për sekuestrimin dhe konfiskimin e fitimeve të ardhura nga një vepër penale. Shqipëria do të duhet të zbatojë plotësisht direktivën e BE për ngrirjen dhe konfiskimin e instrumenteve dhe produkteve të krimit, të rrisë koherencën e kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e korrupsionit dhe integritetin e zyrtarëve publikë , sidomos atyre të nivelit të lartë,” rekomandon KE në raportin e sipërpërmendur.
KE vlerëson që përparimi i Shqipërisë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivel të lartë nuk është vendimtar.
“Duhet të arrihet një histori solide në luftën sistematike kundër korrupsionit, veçanërisht. të atij në nivel të lartë, duke përfshirë konfiskimin përfundimtar të aseteve. Sekuestrimi dhe konfiskimi i aseteve kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin është ende mjaft i kufizuar. Shumat e pasurisë së sekuestruar nuk pasqyrohen në shumat e konfiskuara. Progres është bërë në masën e procedurave të konfiskimit por pa dënim sipas ligjit Anti-Mafia. Rezultatet për sekuestrimin dhe konfiskimin jashtë vendit gjithashtu duhet të përmirësohen,” i rekomandon KE Shqipërisë..
SPAK-u duhet të forcohet dhe konsolidohet
Që kjo të arrihet KE rekomandon forcimn dhe konsolidimin e kapaciteteve operacionale dhe njerëzore të Strukturës së Posacme Anti-Korrupsion,(SPAK) dhe Gjykatës për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKK).
“SPAK duhet të ketë një qasje proaktive për të luftuar korrupsionin në nivel të lartë. Shqipëria duhet të sigurojë që SPAK të ketë akses në të gjitha bazat e të dhënave perkatese dhe bashkëpunim mes prokurorëve, hetuesve dhe autoriteteve shtetërore për të trajtuar në mënyrë efektive korrupsionin. SPAK ka nevojë për një sistem modern të menaxhimit të çështjeve dhe mbledhjen elektronike të të dhënave , që aktualisht bëhet manualisht,” thekson KE.
Sipas vlerësimit të KE , edhe pse janë dhënë disa dënime përfundimtare për akuzat për korrupsion kundër zyrtarëve të lartë “ka mospërputhje midis numrit të hetimeve dhe numrit të dënimeve përfundimtare”.
“Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë duhet të mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e mosndëshkimit,” vë në dukje KE..
Kadastra – pa masa efektive kundër korrupsionit
E drejta e pronës edhe pse e sanksiunar në Kushtetutë për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve të Shqipërisë mbetet ende në letër, e parealizuar në praktikë. KE në raportimin e tij „Shqipëria -Screening 2023″ ndalet tek roli që luan korrupsioni në Kadastra në mohimin e të drejtës së pronësisë.
Situata e rënduar lidhur me të drejtën e pronës paraqitet përmes të dhënash alarmante të tilla si 7 mijë kërkesa të pashqyrtuara për kthimin e pronës tek pronarët dhe 4 mijë vendime të pazbatuara të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku qytetarët e Shqipëridë kanë ҫuar ҫështjet e tyre të pronës, kur gjykatat vendase me vendimet e tyre kanë shkelur të drejtën e pronësisë. Rreth 500 mijë prona figurojnë te paregjistruara dhe 80 përqind e të dhënave për pronat e regjistruara janë të pasakta.
” Ka shqetësime për raportime lidhur me korrupsionin në Agjensinë Shtetërore të Kadastrës. Kjo agjensi duhet të adresojë urgjentisht korrupsionin dhe parregullsi të tjera që lidhen me regjistrimin e pronave dhe të vendosë standarde të larta të transparencës. Shqipëria duhet të sigurojë që të respektohet e drejta për një gjykim të drejtë dhe zgjidhje efektive të së drejtës së pronësisë, ” thekson KE.
Trafikimit të qenieve njerëzore
KE konstaton që qytetarët e Shqipërisë trafikohen në vendet fqinje dhe shtetet anëtare të BE për shfrytëzim seksual, punë dhe kriminalitet të detyruar.
“Fëmijët e vendosur në institucione dhe fëmijët nga komuniteti rom dhe egjiptian janë veçanërisht të cenueshëm ndaj trafikimit” thekson raporti.
Sipas KE identifikimi i viktimave të mundshme brenda territorit shqiptar apo ndër emigrantët që hyjnë në vend është i pamjaftueshëm. Korniza e përmirësuar legjislative për viktimat, ende nuk është zbatuar. Numri i dënimeve përfundimtare për trafikim të qenieve njerëzore është shumë i ulët dhe Shqipërisë i nevojitet një historik në këtë fushë, thekson raporti.
Procesi i screening për Shqipërië dhe Maqedoninë e Veriut filloi menjëherë pas Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Këshillit Europian dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet në korrik të vitit të kaluar. /DW