Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës ka filluar hetimet ndaj disa ndërmarrjeve tregtare, të cilat vitin e kaluar kishin rritur çmimin e vajit ushqimor. Në atë kohë një litër vaj kishe shkuar deri në 3.50 euro.
Autoriteti i Konkurrencës ka nis hetimet ndaj disa ndërmarrjeve tregtare, të cilat vitin e kaluar kishin rritur çmimin e vajit ushqimor.
Autoriteti njofton se vendimi për fillimin e hetimeve ndaj këtyre ndërmarrjeve është marrë në mbledhjen e AKK-së.
“Dyshimet janë se ndërmarrjet kanë shkelur nenin 5, paragrafi (1) nën paragrafi (1.1) të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës ashtu që në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë caktuar çmimet e shitblerjes ose çdo kusht tjetër tregtimi, për të vazhduar me paragrafin (1.2).
Me këtë veprim kanë kufizuar ose kontrolluar prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet, si dhe nenin 9, të Ligjit Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paragrafi (2) nën paragrafi (2.1) në mënyrë të drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë vendosur çmime të padrejtë të shitjes ose kushte tjera të padrejta tregtare, si dhe nën paragrafin (2.2) ndërmarrjet kanë kufizuar prodhimin, tregjet ose zhvillimin teknologjik në dëm të konsumatorëve”.
Autoriteti i Konkurrencës kërkon nga ndërmarrjet që janë pjesë në proces të hetimeve që në afat prej 30 ditëve të sjellin dokumentacionin që kanë të bëjnë me shitjet e vajit ushqimor me çmim 3.49€ për litër në Marsin e vitit 2022.
Autoritetit njofton se, fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljeve të pretenduara.
“AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët”.
Një vit më parë përveç çmimit të naftës i cili ishte ngritur në vazhdimësi në Kosovë, ngritje të çmimeve kishte pasur edhe tek vaji, i cili së nga 1.60 euro sa ishte kohë më parë, çmimi ishte ngritur në 3.49 euro.
Për këtë kishte reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili në një konferencë për media deklaroi se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.
“Anë e mbanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit”. Reagime të shumta për ngritjen e çmimeve u bën atë kohë edhe nga qytetarët, të cilët tregonin se çmimi i vajit në vendet e Evropës është më i lirë se në Kosovë.