Marrëveshja e firmosur në vitin 2020, për korridorin ajror ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë pritet të ndodhë gjatë këtij muaji.

Në një komunikim për mediat ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka deklaruar se së shpejti mund të nisë zbatimi i saj në tërësi.

“Korridoret janë të përcaktuara, por duhet që ato të konfirmohen si të tilla në mënyrë që të bëhen të planifikueshme në fluturimet ndërkombëtare”,-tha Liburn Aliu, minister i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Aliu bëri me dije se për këtë ka vullnet edhe nga ana e autoriteteve shqiptare me të cilët kanë diskutuar këtë çështje.

“Mendoj se muaji gusht është afati kohor që duhet të zbatohet. Vullneti ekziston”,-tha Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës

Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të bënte që shumë fluturime nga dhe për në Kosovë të shkurtohen.

Kohë më parë shteti i Kosovës ka nënshkruar marrëveshje edhe me Malin e Zi e cila mundëson lejimin e shfrytëzimit të hapësirës ajrore të këtij shteti nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.