Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar para Qeverisë me moton – “Ktyne nuk ua nin për neve”.
Arbnora Salihu, Kryetare e Rinisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, rinia e Kosovës nuk mund të festojë, por të protestojë ndaj një Qeverie e cila nuk e ka prioritet rininë.
“Vetëm në dy vitet e fundit janë larguar rreth 100 mijë të rinj nga Kosova. Të rinjtë në Kosovë, çdo ditë po ballafaqohen me kosto të lartë të jetesës, mungesë të infrastrukturës së nevojshme për të zhvilluar veprimtaritë e tyre, mungesë të vendeve të reja të punës etj”, ka thënë Salihu.
Prandaj sipas saj, të rinjtë e Kosovës, sot për sot nuk kanë kurrfarë arsye për të festuar por vetëm për të protestuar.
“Një gjë është e vërtetë. Kjo Qeveri po dëshmon se nuk ua ndjen për neve. Prandaj, edhe ne, nuk kemi kurrfarë arsye për të festuar por vetëm për të protestuar”, ka përfunduar Salihu.
Kjo protestë e Rinisë Demokratike të Kosovës po zhvillohet në kuadër të “Muajit të Rinisë”, gjatë së cilit RDK ka organizuar një sërë aktivitetesh me të rinj dhe të reja nëpër gjithë territorin e vendit.