Uragani Idalia ka arritur në Florida të Shteteve të Bashkuara, stuhi që po konsiderohet “jashtëzakonisht e rrezikshme”. Miliona persona veçse janë evakuuar ose po qëndrojnë në shtëpi dhe strehimore për shkak të stuhisë.
Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA (NHC) tha se Idalia goditi plazhin Kiton në rajonin Big Bend të Floridës. Stuhia është vlerësuar se është e kategorisë tre dhe konsiderohet e rrezikshme për jetë. Uragani Idalia ka shkaktuar erëra deri në 201 kilometra në orë.
Banorët e Floridës që jetojnë përgjatë vijës bregdetare janë urdhëruar që të largohen, pasi Idalia fitoi fuqi duke kaluar përmes ujërave të ngrohtë të Gjirit të Meksikës.
“Kjo stuhi është e fuqishme. Nëse jeni brenda shtëpive, qëndroni të sigurt derisa stuhia të kalojë”, porositi guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.
Stuhia mund të ngrehë nivelin e ujit deri në 4.5 metra.
Shërbimi Kombëtar i Motit në Tallahasi e quajti Idalian “një ngjarje të paprecedent”, pasi asnjë uragan i madh nuk ka kaluar ndonjëherë përmes rajonit Big Bend. Florida, që ende po përballet me pasojat e uraganit Ian, që goditi vendin vitin e kaluar, ka frikë se uragani Idalia mund të ketë pasoja shkatërruese.
Të martën në mbrëmje, Idalia arriti në kategorinë dy të stuhive, ndërkaq në orët e para të së mërkurës autoritetet thanë se stuhia shkoi në kategorinë tre, e më pas katër. Por, më pas fuqia e stuhisë u dobësua, duke rënë sërish në kategorinë tre.
Uraganet maten përmes një shkalle prej pesë kategorish, me kategorinë pesë që është më e fuqishmja.
Stuhitë në kategorinë tre konsiderohen stuhi të mëdha, ndërkaq ato në katër vlerësohet se sjellin “dëme katastrofike”.
Mbi 100 persona humbën jetën vitin e kaluar kur uragani Ian goditi brigjet perëndimore të Floridës. Ky uragan, që ishte i kategorisë katër, u përcoll me erëra të fuqishme që shkatërruar ura e ndërtesa. Dëmet e shkaktuara nga stuhia vlerësohet se janë mbi 100 miliardë dollarë./REL