Publikohen momentet para arrestimit të Alket Hatisë, i cilësuar zoti i drogës, në ambientet e një hoteli në Durrës, më 30 gusht. Report Tv ka publikuar pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë.
Alket Hatia, personi që shfaqet në video me bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra ngjyrë të zezë, shihet teksa lëviz qetësisht, në ambientet e jashtme të hotelit, pranë parkimit të automjeteve, totalisht i pashqetësuar se mund të shihet nga njerëzit, duke marrë parasysh që ambienti privat është buzë rrugës.
Pranë vetes, një qen i bardhe e ndjek nga pas.
Hatia ishte duke marrë ushqim për pulat, në këtë kovë të bardhë, siç shfaqet në video, kur krejt papritur, dhe pa e kuptuar as vetë ai, në portën hapur të hotelit, futen agjentët e policisë, civilë.
Fillimisht e përshëndesin pa rënë në sy, dhe kur sigurohen se nuk ka asnjë mjet të rrezikshëm me vete për të reaguar ndaj tyre, ndërhyjnë dhe e shoqërojnë në një automjet të bardhë që mbërrin në ambientet e hotelit menjëherë pas tyre.
Aksioni i policisë u zhvillua në orën 04.00 të mëngjesit pasi kishin marrë të dhëna të sakta për vendndodhjen e tij dhe ndërhyri herët për të shmangur edhe lëvizjet e pushuesve. Kur kuptoi se ishin agjentë të policisë, Alket Hatia bën rezistencë dhe tenton të largohet, por më kot, efektivët me forca të shtuara tashmë, e shoqërojnë në automjet.
Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg në Itali, për trafikim të 540 kg heroinë e kokainë nga Shqipëria në shtetin fqinj, pas arrestimit në Durrës, u ekstradua drejt Milanos të mërkurën.
Gjykata atje e ka dënuar në vitin 2005, por 50-vjeçari luftoi në të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri për të shmangur ekstradimin, derisa u rrëzua edhe me vendim të Kushtetueses në janar të vitit 2022.
Gjatë kësaj kohe, Hatia ka qenë i arrestuar disa herë në vendin tonë më herët dhe ka shlyer një pjesë të dënimit në paraburgim.