Durrësi i orientuar drejt turizmit elitar apo atij familjar dhe ekonomik? Pas suksesit të këtij sezoni veror, që regjistroi numër rekord pushuesish të huaj, operatorët turistikë po mendojnë për strategjitë e turizmit për vitet e ardhshme.  

Për administratorin e Albtours Durrës, Edmond Basho, ka ardhur koha që të gjitha strukturat hoteliere dhe operatorët të synojnë jo vetëm paketat ekonomike.

“Nuk duhet të jetë më joshja vetëm me çmimet e ulta, sepse ndonjëherë këto çmimet e ulta nuk japin shumë “bereqet” për operatorët turistikë dhe qytetin. Një turist ekonomik, me ndotjen që sjell në qytet i shkakton më tepër dëm sesa përfitim”,- thotë Basho për “DurrësLajm”.

Durrësi ka shtuar vitet e fundit numrin e strukturave hoteliere përgjatë vijës bregdetare dhe kjo paralelisht është shoqëruar edhe me përmirësimin e shërbimeve që ato ofrojnë dhe rritjen e standarteve turistike.

“Duhet të rrisim kapacitetet e hoteleve shumë të mira. ky është një trend që po ndodh, për fat të mirë. Shumë hotele po rrisin kapacitetet dhe po kalojnë një yll më shumë nga ato që kanë qenë më parë”,– thotë Basho.

Reportazhet që mediat e huaja i kanë dedikuar sezonit turistik në Shqipëri, por dhe atij në Durrës në veçanti kanë ndikuar mjaft pozitivisht në shtimin e numrit të turistëve të huaj. Italianët dhe spanjollët kanë qenë surprizat e këtij sezoni, ndërsa përsa i përket paketave turistike, ato mund të kategorizohen në dy lloje.

Të parat janë ato që ofrohen nga agjencitë apo operatorët turistikë dhe shërbimi në to është në nivelin e duhur, ndërsa të dytat janë të përzgjedhura nga vetë turistët pa asistencën e agjencive dhe në këto raste shpesh pushuesit nuk marrin shërbimin që kishin menduar para nisjes së pushimeve.

Shifrat e turizmit këtë verë kanë qenë mjaft shpresëdhënëse. Vetëm në korrik hynë gati 1.8 milionë të huaj, ndërsa për 7-mujorin, hyrjet u rritën me mbi 30%.

Por nga ana tjetër shtatori ka shënuar një ulje me rreth 30% të rezervimeve në hotele, dëshmi kjo e faktit që Shqipëria është ende larg turizmit gjithë vjetor.

M.B.