Nga Andi Bushati

Përtej shtendosjes miqësore dhe buzëqeshjeve në fytyrat e Ramës dhe Dendias, me shumë gjasë ajo që ndodhi gjatë vizitës së ministrit të jashtëm grek nuk përbën një lajm për tu duartrokitur.

Kryeministri shqiptar njoftoi se palët kanë rënë dakord që çështja e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë të zgjidhet nga një tribunal ndërkombëtar dhe bashkëbiseduesi i tij grek e mbështeti këtë duke përmendur gjykatën e Hagës.

Në stilin e tij të njohur, sidomos në rastet kur nuk është i sigurtë se si do të pritet në publik vendimi që ka marë, Edi Rama përdori ironinë, duke paralajmëruar fundin e patriotëve folklorikë që nuk mund ti fryjnë më propagandës se Greqia po na rrëmben tokën ose detin.

Dhe në fakt, në pamje të parë duket se është kështu.

Vendimi që kufirin tonë detar, Zonat Ekonomike Ekskluzive dhe shelfin kontinental ti vendosë një arbitër ndërkombëtar, i drejtë dhe i panashëm, parimisht nuk e kundërshton dot askush.

Teorikisht kjo i jep fund sharjeve primitive me tradhëtarë që shesin kufij për interesat e tyre personale.

Por, tjetër gjë është teoria dhe tjetër është praktika. Sepse përpara se të gëzohemi që gjetëm zgjidhjen më të mirë, ne kemi nevojë për transparencë dhe për të kuptuar atë që ka ndodhur.

Të gjithë e dinë se qeveria e rilindjes u angazhua në një proces të gjatë, të udhëhequr nga ish shefat e diplomacisë Bushati dhe Kocias, për të gjetur një zgjidhje. Por sot askush nuk është i qartë se përse këto bisedime, që u paralajmëruan se qenë para fundit, u braktisën papritmas.

A mos vallë se kështu i interesonte Athinës?

Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk mund të jetë e plotë pa fakte dhe dokumenta, por ato që dimë deri më tani tregojnë se “PO”. Nga njëra anë shtypi serioz grek ka konfirmuar se kalimi nga bisedimet në versionin e zgjidhjes përmes gjykatës, ishte zbatim i vullnetit të shtetit grek.

Në anën tjetër edhe sjellja e Ramës e mbështet këtë hipotezë. Kur shpërthyen konfiltet mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun lindor, në afërsi të ishullit Kastelorizio, gjë që transferoi edhe në Tiranë debatin e pambyllur për detin, kryeministri ynë deklaroi mëse një herë, se do vazhdohej me negociatat. Madje për ta bërë më të prekshme këtë ai këmbënguli edhe në zëvendësimin e disa prej negociatorëve të cilëve u kishte mbaruar mandati. Pra, ende në gusht, Edi Rama ishte i mendimit për të vazhduar rrugën e negociatave, ndërsa në shtator pasi konsumoi një darkë në taracën e hotelit Grande Bretagne me Micotaqisin, ai foli për herë të parë për zgjidhje me gjykatë ndërkombëtare.

Kryeministri ynë nuk e ka sqaruar kurrë përsenë e kësaj kthese 180 gradë që të bën të dyshosh se kërkesa për këtë zgjidhje iu imponua nga Greqia.

Po përse Athina do të ishte më e interesuar për këtë version?

Arsyet mund të jenë disa. Së pari, kur filluan bisedimet mes qeverisë së rilindjes dhe asaj të Sirizës, qasjet e dy vendeve ishin të ndryshme. Greqia donte një zgjidhje të shpejtë vetëm për përcaktimin e kufirit detar. Kjo qasje e saj pati dalë në dritën e diellit edhe nga dokumentat e Wikiliksit që dëshmonin se që në marëveshjen Berisha-Karamanlis, pala shqiptare ishte udhëhequr vetëm prej synimeve të Athinës.

Nga ana e saj Tirana zyrtare qe më e interesuar për një paketë, pra që bashkë me detin ti jepej drejtim edhe çështjes çame, gjendjes së emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe asaj që u përmend disi pa angazhim konkret sot, abrogimit të ligjit të luftës.

Duke e çuar konfliktin, që vërsillet rreth shkëmbit Barketa dhe ishujve të pabanuar grekë në gjykaën e Hagës, Athina ka avantazhin se ajo zgjidh vetëm atë për të cilën është më e interesuar dhe shtyn në kalendat greke shqetësimet tona.

Një dyshim i dytë për dërgimin në një gjykatë ndërkombëtare është edhe fakti se shteti më i dobët, me eksperiencë më të vogël dhe me përgatitje më minimale e ka më të vështirë ti mbrojë aty të drejtat e tij.

Ndoshta pikërisht për këtë Athina ka bërë propozimin që të lihen mënjënë bisedimet dhe palët ti drejtohen gjykatës. Dhe Edi Rama që deri në gusht mbronte versionin e parë nuk ka pasur tjetër mundësi veçse të dorëzhet.  

Prandaj, përpara se të duartrokasim kur e dëgjojmë të thotë se u gjet zgjidhja më e mirë që i mbyll gojën patriotëve folklorikë, ne kemi të drejtë të kërkojmë transparencë për këtë piruetë radikale.

Vetëm pas kësaj, duke iu referuar një batute të bërë sot, ne mundet ta falenderojnë me një “ejvallah”, sepse grekët kanë të drejtë t’i thonë “efkaristo” që sot. /Lapsi.al