Vatrat e zjarrit në fshatin Zhamë në Lushnje janë në kontroll. Flakët përfshinë zonën një natë më parë, ndërsa shuarja u bë mëngjesin e sotëm. Forcat zjarrfikëse kanë punuar gjatë natës në terren për shuarjen e flakëve.

Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes njofton se edhe efektivët e Batalionit të tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore, iu bashkuan forcave zjarrfikëse të Lushnjës, Fierit, Divjakës, Roskovecit, Beratit në operacionin e fikjes së zjarrit masiv të rënë në kodrat e fshatit Zhamë të Lushnjës.

“Efektivët e Batalionit të tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore, i janë bashkuar forcave zjarrfikëse të Lushnjes, Fierit, Divjakës, Roskovecit, Beratit dhe kompanisë Albpetrol në operacionin e fikjes së zjarrit masiv të rënë në kodrat e fshatit Zhamë të Lushnjes”, njoftoi mbrëmjen e djeshme ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Ndërkaq, policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 58-vjeçar me iniciale R.Z. pasi dyshohet se duke djegur mbeturinat, flakët janë përhapur në sipërfaqe të mëdha me ullinj dhe shkurre.