Dy turistë francezë që ishin bllokuar te shpella e Pëllumbasit në vendin e quajtur “Gryka e Skoranës” në Tiranë, janë shpëtuar nga policia mbrëmjen e së mërkurës.

Policia u sinjalizua për 2 turistë të bllokuar  dhe pas disa orësh kërkime, para mesnatës, gjeti 2 turistët francezë në vendin ku kishin mbetur të bllokuar për shkak se kishin humbur orientimin dhe nuk kishin më as ujë e as ushqim.

Në ndihmë të tyre shkuan Njësia Alpine e FNSH Tiranë dhe shërbime të Repartit Special RENEA, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e turistëve nga vendi ku kishin mbetur të bllokuar dhe së bashku me shërbimet e tjera të policisë i kanë shoqëruar me këmbë turistët, deri në vendin ku i priste ambulanca. 

Dy turistët janë dërguar në spital, për ndihmën e nevojshme mjekësore, dhe aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.