Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka folur për gjestin e tij ditën e sotme ku qëlloi me shishe uji në drejtim të eskortës së ministrit të jashtëm grek, Nikos Dendias.
Idrizi u shpreh se shishja duhet ta kapte në kokë Dendiasin që të freskohej, meqë sot në Tiranë është vapë.
Më tej, ai reflekton për këtë akt duke theksuar se ishte akt emocional që nuk duhet ta kishte bërë por ajo është më e pakta që mund të bënte në mënyrën se si po sillet policia shqiptare dhe vetë Greqia.
“Shishja duhet t’i binte në kokë ministrit që të freskohej. Ju e shihni ne do të ndjekim gjithë rrugën ligjore, mënyra tinzare e disa djemve të veshur me uniformë policie, më kujton dhunën e anëtarëve të shoqatës Çamëria në 1994. Nuk e pranoj dot që vendi të ketë arritur deri në këtë pikë, ne me Greqinë duhet të diskutojmë, të drejtat e shqiptarëve në Greqi, çështjen çame, heqjen e ligjit të luftës. Ka qenë një veprim emocional që nuk duhet ta kisha bërë, po ju them nga mënyra se si po sillet Greqia me ne dhe policia shqiptare me ne, ajo ishte gjëja më e pakët që mund të bënim. E papranueshme se si mund të t’i thonë një çami harrojeni çështjen çame, ju nuk ekzistoni, nuk mund t’i harrojmë shtëpitë tona, vatanin tonë. Përballë këtij terrori dhe pamundësinë për të protestuar nga e drejta që na jep nga Kushtetuta, do doja që ta zinte në kokë meqë ishte vapë.”





