Protesta e PDIU dhe shoqërisë Çamëria kundër vizitës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, u shoqërua me tensione.

Pas Ministrisë së Jashtme, protestuesit iu drejtuan godinës së Kryeministrisë, ku u përballën me policinë e cila kishte rrethuar zonën.

E përballë kordonit policor teksa ecte me protestuesit, kreu i PDIU Shpëtim Idrizi në shenjë proteste vrapoi me një shishe uji në dorë, duke e hedhur atë në drejtim të eskortës së ministrit grek.

Pas këtij momenti mes protestuesve dhe efektivëve pati përplasje fizike.

Policia e Shtetit njoftoi pak më parë që janë proceduar penalisht 18 persona, mes të cilëve Shpëtim Idrizi, Mesila Doda dhe Boiken Abazi si tre organizatorët e protestës së sotme kundër zyrtarit grek si dhe janë gjobitur qytetarët që nuk mbanin maskë në tubim.