Shtetasi amerikan Mark Dickey është nxjerrë me sukses nga shpella e tretë më e thellë e Turqisë, pas bllokimit që ka përjetuar aty për një javë.

Më shumë se 150 persona janë përfshirë në përpjekjet për ta shpëtuar eksploruesin Dickey, pas rritjes së problemeve me stomak në shpellën Morka, më 2 shtator.

Organizatorët kanë thënë se përpjekjet për nxjerrjen e tij kanë qenë ndër më të komplikuarat ndonjëherë.

Pika më e ulët e shpellës Morka, në pjesën jugore, arrin deri në 1.3 kilometra thellësi.

Sipas Federatës turke për Shpella, Dickey është nxjerrë jashtë në mesnatë, sipas orës lokale.

Carl Heitmeyer nga Ekipi i përgjigjes fillestare Nju Xhersi – grup që e udhëheq Dickey – ka konfirmuar se eksploruesi është shpëtuar dhe i ka falënderuar të gjithë ata që kanë ndikuar.

Dickey është cituar të ketë thënë se ka besuar që nuk do të shpëtonte, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Në përpjekjet për nxjerrjen e tij nga shpella janë përfshirë ekipe nga Kroacia dhe Hungaria.

Dickey, me origjinë nga Nju Xhersi, është eksplorues i shpellave me përvojë mbi 20-vjeçare.