Shkolla e parë shqipe në Mal të Zi është rihapur e restauruar pas investimit nga qeveria e Dritan Abazoviçit.
Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka njoftuar se duke filluar nga sot, vogëlushët në Rozhajë të Malit të Zi do të marrin dije në Gjuhën Shqipe në shkollën e sapopëruruar nga Abazoviç.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar foto nga shkolla shqipe ku krahas tyre shkruan se fëmijët do të marrin dije në gjuhën shqipe në shkollën e përuruar nga miku i tij Dritan Abazoviç.
“Nga sot, vogëlushët në Rozhajë të Malit të Zi do të marrin dije në gjuhën shqipe në shkollën e sapo përuruar nga miku im, Dritani, ma i miri i të tanëve”, shkruan Rama.
Ndërkohë kryeministri me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç në ceremoninë e hapjes shprehu besimin që numri prej 23 nxënësish që mësojnë aty, të rritet vit pas viti.
“Kemi të bëjmë me shkollën e vetme në Rozhajë që mban mësim në gjuhën shqipe. Sot është hera e parë në histori që kjo shkollë vizitohet nga kryeministri. Këtu mësojnë 23 nxënës dhe besoj numri i tyre do të shtohet”, tha Abazoviç.