Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, thotë se autoritetet shqiptare janë të qarta për procesin që kanë përpara, në rrugën drejt integrimit për në BE.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e bëra një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi vonesën e negociatave të pakuptimtë, Soreca u shpreh se Shqipëria është shumë pranë Konferencës së parë Ndërqeveritare, por ka ende punë për të bërë.

“Si Shqipëria ashtu edhe autoritetet shqiptare janë shumë të qarta për të gjithë procesin që kemi përpara. Është bërë shumë e qartë se cilat janë kushtet të cilat duhet të përmbushë Shqipëria për të pasur mundësinë, për të arritur Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shqipëria është vërtetë shumë afër këtij procesi, ka ende punë për të bërë. Qeveria është në dijeni të të gjithë këtë proces. BE nga ana tjetër e ka shprehur qartë dëshirën për të filluar sa më shpejt me këtë çështje, sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjithë besoj jemi të qartë, edhe qeveria e di mirë se ç’duhet bërë”.

Deklaratat Soreca i bëri në Kukës, nga ku theksoi se të gjitha bashkitë e vendit do të fillojnë punën e tyre, në lidhje me integrimin europian, sapo të nisin negociatat.

“Sapo të fillojmë negociatat, e kam fjalën për hapjen e Konferencës Ndërqeveritare dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur. Jo vetëm Kukësi, por edhe 60 bashkitë e tjera të Shqipërisë do të fillojnë punën e tyre, në lidhje me integrimin europian. Do të jenë pjesë e këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe është i rëndësishëm sepse prek jetët e qytetarëve në zonat ku jetojnë, kështu që kemi 61 bashki në Shqipëri që do të bëhen pjesë e BE. Sa i përket Kukësit ne e kemi një plan, kështu që le t’i përveshim mëngët dhe t’i kthehemi punës”.