Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka nisur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara me temën e armëve bërthamore.
Ai ka thënë se shekulli 20 e ka mësuar njerëzimin që të mos përdoren armë për shkatërrim në masë, dhe që të promovohet çarmatimi i plotë bërthamor.
Sipas tij, Rusia ende ka burime bërthamore dhe “nuk ka të drejtë” të posedojë armë bërthamore.
“Ushqimi është kthyer në armë”
Presidenti ukrainas ka thënë se ekzistojnë traktate kundër armëve, mirëpo jo edhe kufizime reale kundër kthimit në armë të gjërave sikurse ushqimi.
“Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, portet ukrainase janë bllokuar nga Rusia”, ka thënë ai.
“Portet tona në lumin Danub janë shënjestra të raketave dhe dronëve”.
Zelensky ka thënë se Rusia është duke i shfrytëzuar furnizimet me ushqim për t’iu bërë presion shteteve që ta njohin territorin e kapur ukrainas si rus, dhe i ka falënderuar ato shtete që kanë vendosur të blejnë grurë ukrainas, për t’iu rezistuar përpjekjeve të tilla.
“Kidnapimi i fëmijëve është gjenocid”
Zelensky ka folur edhe për fëmijët ukrainas që janë dërguar në Rusi.
Ai ka thënë se në të kaluarën grupet terroriste i kanë kidnapuar fëmijët, mirëpo tani në kohë lufte, kidnapimi dhe dëbimi i fëmijëve ukrainas në Rusi është politikë e Qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin, diçka që nuk është parë kurrë më parë.
“Janë dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë kidnapuar në Rusi” ka thënë Zelensky, duke shtuar se “ne jemi duke tentuar që t’i kthejmë ata sërish në shtëpi, por koha po ec”.
“Çfarë do të ndodhë me ta?” ka pyetur ai.
“Këta fëmijë në Rusi mësojnë që ta urrejnë Ukrainën dhe u shkëputen të gjitha lidhjet me familjet e tyre. Ky është gjenocid i pastër”, ka thënë ai.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.