Të gjithë kontinentet ekzistuese mund të bashkohen për të formuar një ‘superkontinent’ në një hark kohor prej 250 milion vitesh.
Në këtë përfundim kanë mbërritur shkencëtarët nga Universiteti i Bristolit në Mbretërinë e Bashkuar, pasi përdorën modelet e para të klimës për të ardhmen e largët.
Ata zbuluan se pas një kalimit të një periudhe kohe, toka mund të bëhet e pabanueshme në shumë zona të saj, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësirës.
Gjatë studimit të tyre, ata stimuluan tendencat e temperaturës, erës, shiut dhe lagështisë për superkontinentin dhe përdorën modele të lëvizjes së pllakave tektonike, kimisë së oqeanit dhe biologjisë për të llogaritur nivelet e dioksidit të karbonit.
Ata zbuluan se jo vetëm që formimi i superkontinentit të cilin e kanë quajtur ‘Pangea Ultima’ do të çonte në shpërthime më të rregullta vullkanike, duke nxjerrë dioksid karboni në atmosferë dhe duke ngrohur planetin, por edhe dielli do të bëhej më i ndritshëm, duke emetuar më shumë energji dhe duke ngrohur më tej Tokën.
“Superkontinenti i saposhfaqur do të krijonte në mënyrë efektive një goditje të trefishtë që përfshin efektin e kontinentit, nxehtësi më e madhe nga dielli dhe më shumë dioksid karboni në atmosferë,” tha në një njoftim të hënën Alexander Farnsworth, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Universitetin e Bristol dhe autori kryesor i letrës.
Ndërsa, temperaturat ekstreme nga 40 deri në 50 gradë Celsius të shoqëruara nga nivelet e larta të lagështisë do të vulosnin përfundimisht fatin tonë, shkruhet në letrën e botuar në revistën ‘Nature Geoscience’.
Parashikimi nga Universiteti i Bristolit
Njerëzit dhe speciet e tjera nuk do të mund t’i mbijetojnë ndryshimeve të tilla të kushteve atmosferike. Gjithashtu, rritja e nxehtësisë, do të krijonte një mjedis pa burime ushqimi ose uji për gjitarët, shkruhet po ashtu në studim.
Me gjithë pasiguritë e mëdha mbi parashikimet në një hark kohor kaq të largët dhe të gjatë, shkencëtarët thonë se fotografia duket “shumë e zymtë”, dhe vetëm 8% deri në 16% e tokës në superkontinent mund të mbetet e banueshme për gjitarët.
Kujtojmë se shkencëtarët kanë paralajmëruar për dekada që ngrohja duhet të qëndrojë nën 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale, me mundësinë për të shkurtuar varësinë tonë nga karburantet fosile dhe për të shmangur ndryshimet katastrofike. Ndërsa zhdukja e fundit masive ndodhi rreth 66 milionë vjet më parë, kur një asteroid u përplas në Tokë dhe vrau dinosaurët dhe shumicën e jetës në planet./ CNN