Fatbardh Dervishi alias Doda është vëllai i Fatjon Dervishit, i cili mbeti viktimë e një atentati gjatë orëve të para të së mërkurës në fshatin katund të Sukthit.

Dervishi aktualisht ndodhet në burg, pas ekstradimit nga Spanja, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë në kushtet e tronditjes së fortë psikike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” për plagosjen e së dashurës.

Në ditët e para të vitit 2022, Fatbardh Dervishi plagosi të dashurën 23-vjeçare nga Durrësi në një dhomë hoteli teksa po festonin së bashku vitin e ri. Pas plagosjes në hotel, 32-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Në atë kohë e plagosura e shfajësoi Dervishin duke deklaruar se ishte një ngjarje pa dashje, po në gjykatën e Durrësit vijon gjykimi ndaj tij për plagosje të lehtë.

Dervishi gjithashtu ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash. Sipas informacioneve, ai dyshohet gjithashtu për zhdukjen e një personi në Spanjë. Në vitin 2018 Fatbardh Dervishi dyshohet se ka zhdukur personin e identifikuar si Tauland Malshi, raporton Top Channel.

Sipas informacioneve, deri më tani larja e hesapeve një ndër pistat ku po heton policia në lidhje me vrasjen e vëllait të tij Fatjon Dervishi, por burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se pak gjasa ka që të jetë ky shkaku i vrasjes.

Gjashtë persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në funksion të zbardhjes së vrasjes që ndodhi natën e kaluar në Katund të Sukthit.

Policia po vijon me intensitet hetimet, ndërsa po këqyren edhe pamjet e kamerave të sigurisë në mënyrë që të kuptohen lëvizjet e viktimës dhe autorit.