“Paketa e sigurisë në perimetrin e institucioneve arsimore parauniversitare”, ishte tematika e mbledhjes së mbajtur paraditen e sotme në institucionin e Prefektit të Qarkut Durrës.
Për zv/ministrin e brendshëm Andi Mahila, paketa e sigurisë nuk është një angazhim vetëm në nisje të vitit shkollor, por është një angazhim afatgjatë.
“Nuk është një angazhim i fillimit të vitit të ri shkollor, por është një angazhim deri në ditën e fundit të vitit shkollor dhe është një angazhim që duhet të vazhdojë për çdo vit. Duhet të krijojmë eksperiencat dhe lidhjet ndërinstitucionale që produkti të jetë i garantuar”,– tha zv/ministri Mahila.
Prefekti Emiljan Jani renditi para drejtuesve të institucioneve vendore pikat kryesore ku bazohet puna e Task Forcës për sigurinë në shkolla.
“1. Planizimi i një harte nga çdo ZVA përsa i përket rrezes prej 50 metrash rreth institucioneve arsimore parauniversitare.
2. Vendosja e sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale pranë çdo institucioni arsimor nga bashkitë përkatëse.
3. Kontrolli dhe orientimi i lëvizjes së mjeteve brenda perimetrit të sigurisë nga Policia Bashkiake e çdo bashkie dhe Policia Rrugore
4. Kontrolli i rreptë i produkteve ushqimore nga AKU.
5. Pajisja e e mjediseve brenda dhe jashtë institucioneve arsimore me kamera për një cilësi sigurie më të lartë nga bashkitë përkatëse.
6. Pajisja me fikëse zjarri nga MZSH-ja
7. Monitorimi i kushteve të higjenës, përdorimit të duhanit dhe pijeve alkoolike për nxënësit nën moshën 18 vjeç brenda mjediseve të institucioneve arsimore nga ISHSH-ja
8. Prishja e të gjitha ndërtimeve apo në proces ndërtimi pa leje që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë nga Inspektoriati Vendor për Mbrojtjen e Territorit në varësi të bashkive.
9. Fuqizimi i rolit të kompetencave të oficerit të sigurisë për parandalimin dhe mbrojtjen e nxënësve nga kriminaliteti”
Ndërsa drejtuesit e institucioneve nisën të relatojnë lidhur me efektet që ka dhënë paketa e sigurisë në këto javë të para të implementimit të saj, shefi i policimit në komunitet pranë Drejtorisë Vendore Durrës, Karafil Xholi, theksoi se gjatë punës së përditshme me nxënësit theksi nga strukturat e rendit vihet tek pasojat me të cilat të miturit dhe adoleshentët mund të përballen në rast veprimesh të kundraligjshme.
“Kur diskutojmë me nxënësit më tepër trajtojmë pasojat, që u shkaktohen atyre në momentet kur fillojnë çështjet penale, kur regjistrohen në gjykatë dhe prokurori. Nxënësit më shumë kanë frikë pasojat që do ju vijnë. Kjo na ka dhënë rendiment të mirë”,– tha Xholi.
Në vazhdim, mbledhja vijoi pa praninë e mediave.
M.B.





