Jon Fosse, një mjeshtër i të shkruarit të përmbajtur nordik me një krijimtari të pasur nga dramat tek romanet dhe librat për fëmijë, fitoi të enjten çmimin Nobel në letërsi “për dramat dhe prozën e tij novatore që i japin zë të pathënës”, siç thuhet në motivacionin e Akademisë Suedeze.

Anders Olsson, kryetar i komitetit të Nobelit për letërsinë, tha se puna e tij i ka rrënjët “në gjuhën dhe natyrën e prejardhjes së tij norvegjeze”. “U habita kur më telefonuan, por në të njëjtën kohë edhe e prisja. Jam përgatitur me kujdes gjatë 10 viteve të fundit që kjo mund të ndodhë,” i tha 64-vjeçari Fosse, televizionit publik norvegjez, NRK.

“U gëzova shumë”, tha ai. Fosse ka shkruar rreth 40 drama, si dhe romane, tregime të shkurtra, libra për fëmijë, poezi dhe ese. Mats Malm, sekretar i përhershëm i Akademisë Suedeze të çmimit Nobel e telefonoi shkrimtarin për t’i komunikuar përzgjedhjen e tij si fitues.

Fosse është shkrimtari i katërt norvegjez që merr çmimin më të lartë të letërsisë. Bjørnstjerne Bjørnson e mori atë në vitin 1903, Knut Hamsun në 1920 dhe Sigrid Undset në 1928. Libri i tij “Një emër i ri: Septologjia VI-VII” – i cilësuar nga Olsson si “opus magnum” (një vepër madhështore) i shkrimtarit Fosse – ishte finalist për Çmimin Ndërkombëtar Booker, në vitin 2022.

Në një deklaratë të lëshuar nga shtëpia e tij botuese, Samlaget, Fosse tha se ai e shihte çmimin “si një vlerësim për një letërsi që mbi të gjitha synon thjesht të jetë letërsi, pa konsiderata të tjera”. Çmimet Nobel shoqërohen me një çmim prej 11 milionë koronash suedeze (1 milion dollarë). Fituesit gjithashtu marrin një medalje ari dhe një diplomë në ceremonitë e ndarjes së çmimeve në dhjetor.

Vitin e kaluar, shkrimtarja franceze Annie Ernaux fitoi çmimin për atë që Akademia Suedeze e cilësoi si “guxim dhe mprehtësi klinike” në librat e frymëzuara nga jeta në një qytet të vogël në rajonin e Normandisë në Francën veriperëndimore.

Ernaux ishte shkrimtarja e 17-të femër mes 119 laureateve të Nobelit për letërsinë. Çmimi i letërsisë është përballur prej kohësh me kritika se është shumë i përqendruar tek shkrimtarët evropianë dhe amerikano-veriorë, si dhe i dominuar kryesisht nga meshkujt.

Në vitin 2018, dhënia e çmimit u shty pasi Akademia u trondit nga akuzat për abuzim seksual. Kjo shkaktoi dorëqjen e shumë anëtarëve të Akademisë. Akademia u ringrit, por u përball përsëri me kritika kur nderoi në vitin 2019 shkrimtarin austriak Peter Handke, i cili kishte justifikuar krimet serbe të luftës.