Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kanë nënshkruar ditën e sotme në Prishtinë, një Marrëveshje, që formon Njësinë e Përbashkët Hetimore, të përbërë nga prokurorë të posaçëm të të dyja prokurorive përkatëse.  

Qëllimi i nënshkrimit të kësaj Marrëveshje parashikon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të veprimeve të të dyja prokurorive në fusha të rëndësishme të luftës kundër krimit.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Dumani dhe Kryeprokurori i PSRK-së, Isufaj e kanë vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje duke theksuar se ky është një hap drejt përmirësimit të sigurisë dhe sundimit të ligjit në dy shtetet përkatëse, si dhe drejt ndërtimit të një partneriteti të fortë mes dy institucioneve të drejtësisë.

Ata u zotuan për bashkëpunim të ngushtë në luftimin e të gjitha formave të krimit që prekin interesat ekonomike, financiare dhe shoqërore të Shqipërisë dhe Kosovës.