Të shumtë janë qytetarët në Durrës që sot kanë respektuar urdhrin e qeverisë Rama për të mbajtur maskën në ambientet e jashtme, si masë parandaluese e përhapjes së Covid-19.

Ndonëse, ka edhe nga ata qytetarë “të pabindur”, që të ndërgjegjshëm se do të gjobiten, nuk kanë pranuar ta mbajnë atë, duke mos i shpëtuar masës administrative.

“Ishin të ndërgjegjshme që nuk e kishin vendosur maskën me dëshirë. 99% e qytetarëve janë shumë korrektë”, tha efektivi i policisë.

Mosmbajtja e maskës gjobitet me 3 mijë lekë të rinj, ndërsa përsëritësit do të duhen të paguajnë 5 mijë lekë të rinj, dhe kjo i detyron qytetarët ta vendosin atë.

“E kam vënë (maskën) se venë gjobën, ne jemi pensionistë.”, thotë një qytetar.

Të tjerë, mbajtjen e masave mbrojtëse në ambiente të hapura e shikojnë si të domosdoshme pasi edhe Europa ka shumë kohë që e ka ekzekutuar një vendim të tillë, ndërsa të tjerë e shikojnë të domosdoshme pasi është në mbrojtje të shëndetit të tyre.

“Unë e vë se duhet, është e domosdoshme. Europa e ka vënë ka kaq kohë, ne jemi të vonuar. Dikur Pipero thoshte se nuk bën asgjë, unë them që bën diçka.”

“Është shumë mirë që ta vendosin, ruajnë veten e vet, ruajnë edhe tjetrin, sidomos moshën e tretë. Çdo gjë ka kosto, jo vetëm maska edhe ilaçet që blejmë. Për të mos blerë ilaçet, atëherë blej maska, më pak të kushton një maskë sesa ilaçet.”

“Është për të mbrojtur shëndetin tonë, jo të Edi Ramës.”

Kujtojmë që pagesa e gjobës do të bëhet përmes faturës së energjisë elektrike.