Jemi këtu e nuk ju braktisim!’, kështu i tha Sekretari Amerikan i shtetit, Antony Blinken, kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në fillim të takimit që mbajtën në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken i cili mbërriti mëngjesin e sotëm në Tel Aviv  tha se Hamasi nuk përfaqëson palestinezët, dhe se ata  kishin vetëm një agjendë të shkatërronnin Izraelin.

Ndërsa, zyrtari i lartë i Hamasit Ali Baraka tha në një intervistë të transmetuar në TV Russia Today se Hamasi kishte planifikuar fshehurazi pushtimin e Izraelit jugor për dy vjet.

Luftimet mes Izraelit dhe Hamasit vijojnë për të gjashtën ditë radhazi, ndërsa numri i të vdekurve është rritur. Në Izrael deri më tani raportohet për 1,354 viktima dhe rreth 3,300 të plagosur. Ndërkohë, në Rripin e Gazës numri i të vdekurve është rritur në 1417 dhe 6268 persona raportohet se janë plagosur.

Ministria e Jashtme e Egjiptit i ka kërkuar Izraelit të ndalojë sulmet me raketa pranë pikës kufitare Rafah në Gaza, pasi sulmet po e bëjnë të vështirë hyrjen e ndihmave humanitare egjiptiane në Gaza. Ata thanë se ajo mund të hapet këtë mbrëmje ose mëngjesin e së premtes, për gjashtë orë. Egjipti deklaroi së fundmi se kalimi është i hapur për momentin.

Pasi Izraeli formoi kabinetin e kohës së luftës, duke përfshirë edhe opozitën, kryeministri Benjamin Netanyahu bërë një paralajmërim të fortë duke thënë se do të vrasin çdo anëtar të Hamasit.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë të cituar nga mediat lokale, të paktën 51 persona humbën jetën dhe 281 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore të kryera këtë mbrëmje në Rripin e Gazës nga ushtria izraelite. 

CNN ka raportuar së fundmi se Presidenti iranian Ebrahim Raisi dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman kanë zhilluar bisedën e tyre të parë telefonike, gjatë së cilës të dy liderët kishin diskutuar për konfliktin në Gaza, “nevojën për t’i dhënë fund krimeve të luftës” dhe unitetin islamik.

Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz, deklaroi së fundmi se Gaza do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike derisa pengjet izraelite të riktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Pa energji elektrike, pa ujë, asnjë kamion me benzinë ​​nuk do të hyjë në Gaza derisa pengjet izraelite të kthehen në shtëpi. Dhe askush nuk mund të na bëjë leksione përsa i përket moralit”,  tha ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz.

Në një konferencë për gazetarët e huaj në rezidencën presidenciale në Jerusalem, Presidenti izraelit, Isaac Herzog, tha se ata ‘nuk e kishin parë ndonjëherë këtë dhunë’ të ushtruar nga Hamasi kundër izraelitëve në sulmin e nisur të shtunën. Trupat e civilëve të vrarë nga militantët e Hamasit tregojnë “shenja torture”, shtoi presidenti izraelit. 

Izraeli së fundmi deklaroi se ata po arrijnë të identifikojnë personat që morën pjesë në sulmet e tmerrshme në fshatrat hebrenj pranë Gazës të shtunën. Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për media zëdhënësi ushtarak Daniel Hagari.