Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi të premten herët se më shumë se 400.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës dhe se 23 punonjës humanitarë janë vrarë qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse ndaj sulmit nga militantët e Hamasit në Izrael në fundjavë.
OKB-ja i ka kërkuar gati 300 milionë dollarë për t’i ndihmuar rreth 1.3 milionë civilë në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, kryesisht për ndihma ushqimore, pasi furnizimi me ushqim po mbaron.
“Zhvendosja masive po vazhdon. Në Rripin e Gazës, numri i personave të zhvendosur brenda vendit është rritur për 25 për qind në 24 orët e fundit, duke e tejkaluar shifrën 423.000, dy e treta e të cilëve janë strehuar në shkollat e UNRWA-së”, tha OKB-ja duke iu referuar agjencinë së refugjatëve palestinezë.
Të premten në mëngjes, Ushtria e Izraelite i paralajmëroi të gjithë që jetojnë në veri të Qytetit të Gazës të zhvendosen në jug të Rripit të Gazës brenda 24 orëve të ardhshme, duke rritur frikën për një ofensivë tokësore.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriq, tha se “është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare”.
OKB-ja tha se e mori një udhëzim të ndarë nga Ushtria e Izraelit pak para mesnatës të enjten, sipas të cilit 1.1 milion civilët që jetojnë në veri të Gazës kanë 24 orë kohë për t’u zhvendosur në jug të vendit.
“Ky është kaos, askush nuk e di çfarë të bëjë”, tha Inas Hamdan, një zyrtare e OKB-së për agjencinë e refugjatëve palestinezë në Qytetin Gaza.
Gaza është plotësisht e rrethuar dhe e bllokuar nga Izraeli, i cili ka thënë se rrethimi nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjitha pengjet.
Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Gaza qëkur Izraeli i nisi bombardimet hakmarrëse, sipas zyrtarëve palestinezë.
Hamasi i mori 150 pengje dhe i dërgoi në Gaza gjatë sulmeve të fundjavës në Izrael, ku militantët e tij i vranë 1.300 njerëz./REL