Agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit i shtuan masat e sigurisë të premten për të mbrojtur komunitetet hebraike dhe myslimane mes protestave globale lidhur me konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa mijëra demonstrues pro-palestinezë mbushën rrugët e qytetit të Nju Jorkut.

Turma protestuesish u mblodhën pranë sheshit Times Square në Manhattan, duke kërkuar pavarësinë e territoreve palestineze dhe duke dënuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu ndërsa qeveria e tij intensifikoi sulmet në Rripin e Gazës në hakmarrje për valën e mizorive të befasishme nga luftëtarët e Hamasit në Izrael.

Shumë nga protestuesit mbanin maska për të fshehur identitetin e tyre, për siç thanë ata, për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Organet e rendit në Nju Jork dhe qytete të tjera amerikane thanë se po përshkallëzojnë patrullimet rreth sinagogave, xhamive dhe institucioneve të tjera hebraike dhe myslimane, megjithëse autoritetet këmbëngulën se nuk kanë të dhëna për ndonjë kërcënimi specifik ose të besueshëm.

Ditët e fundit Izraeli ka intensifikuar sulmet në Gaza në përgjigje të sulmeve në Izraelin jugor fundjavën e kaluar nga persona të armatosur nga grupi militant Hamas i mbështetur nga Irani, i cili sundon enklavën që Izraeli e pushtoi nga Egjipti në vitin 1967.

Sulmi i Hamasit vrau të paktën 1300 izraelitë, duke shënuar goditjen më vdekjeprurëse palestineze ndaj shtetit hebre në histori.