Ministri i jashtëm kinez Wang Yi, ka thënë se qeveria izraelite duhet të ndalojë “ndëshkimin kolektiv” të banorëve.

Udhëheqja izraelite duhet të ndalojë “dënimin kolektiv të popullit të Gazës”, u shpreh Wang Yi në bisedimet me homologun e tij saudit Faisal bin Farhan të shtunën, sipas një deklarate të lëshuar sot nga ministria kineze.

Të dyja palët “nuk duhet të tentojnë asnjë veprim që do të shkaktonte një përshkallëzim të situatës,” vazhdoi ai, duke bërë thirrje për fillimin e “negociatat”.

Përveç kësaj, duke folur sot me homologun e tij iranian, Hossein Amir-Abdollahian, ministri kinez tha se Pekini mbështet “luftën e drejtë të popullit palestinez për të mbrojtur të drejtat e tij”.

“Rrënja më e thellë e situatës midis Palestinës dhe Izraelit është se e drejta e popullit palestinez për sovranitet kombëtar është lënë mënjanë për një kohë të gjatë,” tha Wang në një telefonatë me Amir-Abdollahian.

Më herët, transmetuesi shtetëror i Kinës CCTV raportoi se i dërguari i Kinës në Lindjen e Mesme Zhai Jun do të udhëtojë në rajon javën e ardhshme për të promovuar bisedimet e paqes dhe një armëpushim.

Të shtunën, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë ndikimin e tij për të de-përshkallëzuar situatën.