Në lidhje me një video të postuar në portalin “JOQ”, përmes të cilës një vajzë e re nga Durrësi me emrin Fabiola A. pretendonte se ishte dhunuar nga babai i saj, dhe se kërkonte ndihmë nga ministri i Brendshëm dhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Policia e Durrësit ka reaguar pak minuta më parë duke bërë një sqarim të ngjarjes:

SQARIMI:

Policia e Durrësit, nisur dhe nga porosia e ministrit të Brendshëm, për trajtimin me përparësi dhe me kujdes të shtuar të këtij rasti, ka thirrur shtetasen F. A., në ambientet e Policisë, ku i janë marrë deklarimet dhe më pas i është plotësuar urdhri i mbrojtjes.

Përsa iu përket pamjeve në të cilat shfaqet babai i saj, shtetasi S. A., duke përplasur derën, pasi shtetasja F. A. e filmon, ju informojmë se pavarësisht se shtetases F. A. nuk i janë konstatuar shenja dhune (fakt ky i vërtetuar me raport mjeko-ligjor), kësaj shtetaseje i është marrë kallëzimi dhe materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprime të mëtejshme.

Gjithashtu, ju informojmë se shtetasja F. A. dhe babai i saj, shtetasi S. A., janë në konflikt për pronësinë mbi banesën dykatëshe, në lagjen nr. 8, ku ata jetojnë. Çdo herë që këta shtetas janë paraqitur më parë, në ambientet e Policisë, iu janë marrë deklarimet dhe materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për ndjekjen e hetimeve të mëtejshme. Gjithashtu, janë këshilluar për rrugën ligjore që duhet të ndjekin për zgjidhjen e pretendimeve me objekt pronësinë. Ndonëse në asnjë rast, këta shtetas nuk kanë ngritur pretendime për dhunë fizike, ata janë mbajtur në mbikëqyrje nga shërbimet e Policisë dhe janë pajisur me urdhra mbrojtjeje, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti për motive pronësie.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Më poshtë edhe thirrja e vajzës e publikuar në JOQ: