Kreu demokrat Lulzim Basha ka bërë një deklaratë të fortë pak më parë, kur është shprehur se kryeministri Rama do t’i heqë Milva Ekonomit mandatin si deputete dhe do ta komandojë nënkryetare të Bashkisë në Durrës.

Sipas Bashës, ky është plani i Ramës për të firmosur një marrëveshje tjetër për inceneratorët, pasi nënkryetarja aktuale e Bashkisë së Durrësit nuk pranon që ta bëjë.

“Për inceneratorët po bëhet gati të shkarkojë për herë të 5 apo të 6 kryetaren e bashkisë së Durrësit. Se nuk pranon ajo zonja atje të firmosë një aferë qindramilionëshe për të çuar lekë të inceneratori i Tiranës dhe po bëjnë gati Milva Ekonomin që të japë dorëheqjen nga deputete dhe të komandohet atje që të firmosë shkresën e të vjedhin para me inceneratorët.

Ja po jua them unë. Ky është plani. A do ta ndryshojë pas denoncimit tim apo jo nuk e di. Milva Konomi të japi dorëheqjen nga deputete, të komandohet nënkryetare, të iki kjo që është nënkryetarja e tretë dhe të firmosi shkresën për t’i çuar 100 milion inceneratorëve”, tha Basha.