Këmbësorë që kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën pa respektuar vizat e bardha apo drejtues biçikletash që hyjnë kundravajtje dhe bëhen burim aksidentesh.
Këto shkelje të përditshme të Kodit Rrugor hasen kudo në rrugët e Durrësit.
Në 9 muaj, rrugët e qytetit bregdetar janë përgjakur nga 78 aksidente rrugore, me pasojë 18 të vdekur, 20 të plagosur rëndë dhe 69 persona të plagosur lehtë.
Aksidentet ku mbesin të përfshirë një mjet dhe këmbësorë janë më të shpeshtat. 43 të tilla ku 11 persona kanë humbur jetën dhe 11 kanë mbetur të plagosur rëndë janë regjistruar në periudhën janar- shtator, referuar statistikave të Drejtorisë Vendore të Policisë. Referuar të njëjtit burim, 40 aksidente kanë ndodhur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve, ndërsa për faj të këmbësorëve kanë ndodhur vetëm 3.
Këtë fakt e konfirmojnë për “DurrësLajm” dhe ekspertët rrugorë.
“Pjesa dërrmuese e aksidenteve kanë ardhur si rezultat i kontaktit të drejtpërdrejtë të të lëvizshmërisë së mjetit me këmbësorin”.

Rruga “Vëllazërimi” në zonën e ish-Kënetës është konsideruar gjithnjë si rruga e vdekjes, për shkak të numrit të lartë të aksidenteve. Për ekspertin Agron Beja, disiplinimi i lëvizjes së këmbësorëve mbetet primar për të ulur numrin e aksidenteve.
“Bashkia Durrës, si ent pronar i kësaj rruge, duhet të marrë masa për bllokimin e trafikndarësit, me qëllim pengimin në masën maksimale të mundshme të kapërcimit nga njëri krah në tjetrin, duke e alternuar këtë rrugë me vendosjen e shumë vendkalimeve për këmbësorë, të shoqëruar me kufizuesit e shpejtësisë dhe me tabelat e sinjalistikës përkatëse”.
Vitet në timon janë determinues për shmangien e përplasjeve. Sipas statistikave të policisë, numrin më të madh të aksidenteve e shkaktojnë shoferët e moshave 25-35 vjeç. Një tendencë që po vihet re kohët e fundit është ulja e numrit të aksidenteve gjatë orëve të mbrëmjes 19.00-24.00 dhe shtimi i tyre në fashën orare 12.00-19.00.
Për frenimin e fenomenit të ecjes me shpejtësi në rrugët kryesore të qytetit dhe përdorimit të alkoolit dhe substancave narkotike, eksperti Beja rekomandon shtimin e patrullave të Policisë Rrugore në akset më problematike.
“Policia Rrugore dhe specialistët përkatës duhet të marrin masa, që patrulla të kësaj natyre të jenë më të shpeshta, sidomos në pikat kyçe, ku i afrohemi zonave më të frekuentuara në pikun e qarkullimit rrugor”.
Ndërkohë nisur nga harta e shpërndarjes së aksidenteve në rrugët interurbane kryesore në Durrës janë regjistruar 10 të tilla, ndërsa në rrugët urbane kryesore dytësore dhe interurbane dytësore kanë ndodhur 68 aksidente me 17 persona të vdekur dhe 18 të plagosur rëndë.
M.B.





