Një emigrant 50-vjeçar në Spanjë është arrestuar nga policia, pasi është shtirur sikur ka pësuar atak kardiak dhe nuk ka paguar faturën në një sërë restorantesh.
50-vjeçari i quajtur Aidas, me origjinë nga Lituania, ka shmangur pagesën e faturës në 20 restorante.
Çeqet e tij varionin nga 15 deri në 70 euro, raportuan pronarët e restoranteve dhe përfshinin vakte si sallata ruse dhe pije alkoolike si uiski White Label.
Mënyra e tij e veprimit ishte të porosiste disa vakte dhe të simulonte një gjendje të zemrës duke u rrëzuar në mënyrë dramatike në dysheme pas mbërritjes së faturës.
“Ai u shtri në dysheme, u soll sikur i dhembte gjoksi dhe filloi të dridhej”, tha një punonjës i restorantit.
“Ishte shumë teatrale, ai bëri sikur i ra të fikët dhe u rrëzua në dysheme”, përshkroi për The Sun menaxheri i restorantit.
I dyshimtë për veprimin e tij, ai arriti të fotografonte mashtruesin e shtrirë në dysheme për të paralajmëruar drejtuesit e tjerë të restorantit për veprimet e tij. Një anëtar i stafit të restorantit Sale&Pepe, gjithashtu në Alicante, konfirmoi:
“Të gjithë kemi marrë një paralajmërim me foton e tij që na thotë të jemi të kujdesshëm dhe të mos i shërbejmë asgjë.”
Imigranti u shtir për sëmundjet e zemrës përreth dy muaj dhe nuk pagoi asnjë euro për vaktet e tij. Megjithëse u arrestua, ai u lirua menjëherë pasi krimet e tij u konsideruan “gjoba të vogla” dhe shuma e parave që u detyrohej restoranteve nuk ishte mjaftueshëm e konsiderueshme.
Por së fundmi, Aidas është dënuar me 42 ditë burg për mospagimin e një sërë gjobash që kalojnë 900 euro.
Për të mos lejuar që ai të largohet kaq shpejt nga burgu, pronarët e restoranteve të prekur nga skemat e tij po planifikojnë të bëjnë një ankesë të përbashkët, denoncim që do ta burgoste atë për dy vjet.