Një palestinez që jeton në Shqipëri Hamza Aburaja ka dalë në protestë ditën e sotme në mbështetje të vendit të tij.
Duke folur për Report Tv, Aburaja tha se ata kanë që prej 1967 që janë të pushtuar nga Izraeli dhe kërkojnë tokat që u kanë premtuar në rezoluta.
Sipas tij krijimi i lëvizjes së Hamasit është si rezultat i okupimit që Izraeli i ka bërë Palestinës.
“Është një ngjarje e rëndë për çdo kënd. Gjithë njerëzit atje janë të afërm të mi. Ashtu edhe në Shqipëri janë vëllezërit e mi. Unë jam nga Hebroni, Bregu Perëndimor, është 45 km larg. Askush nga Rripi i Gazës nuk mund të shkojë. Është ndarë dhe e kemi këtë vështirësi që të komunikojmë. Kemi disa rezoluta një që në ‘81 që i ka dhënë të drejtë të krijohet shteti i Izraelit dhe i Palestinës, por ne nuk na është plotësuar kjo e drejtë. Jemi pushtuar që nga ’67 dhe deri sot jemi në okupim. Deri sot nuk është dhënë asgjë. Izraeli vazhdon të jetë pushtues. Lëvizja e Hamasit është një rezultat i pushtimit i okupimit. Izraeli ka pushtuar tokat e Palestinës. Kërkojmë liri, pushtuesi të largohet. Duam të marrim pjesën që na është premtuar. Nëse ne themi se çfarë ka bërë Hamasi, ne duhet të shohim dhe se çfarë ka bërë Izraeli. 70% të vrarëve janë fëmijë, nuk janë Hamasi, janë popull i pafajshëm. Duhet të shohim me balancë. Jam kundër çdo luftë që prek civilët edhe ne kemi pasur vuajte si popull,” tha Aburaja.
Sa i takon mos njohjes së Kosovës si shtet nga Palestina, Aburaja tha se ata si popull nuk janë kundër, por çështja është e ndërlikuar politikisht.
“Kosova ngjan me çështjen e Palestinës, nuk jam kundër as populli palestinez. Jemi njësoj. Aty është një çështje e ndërlikuar politikisht. Mahumut Abaz nuk është shumë i vendosur ka presione, nuk vendos dot, është gjysmë i burgosur edhe ai. Ne si palestinez jemi pro Kosovës. Kam kaluar pjesën më të rëndësishme në Shqipëri. Për mua ky është atdheu i dytë. Për mua 30 vite nuk janë pak,” tha Aburaja.