BBC ka publikuar foton e nënës dhe vajzës, dy amerikaneve të para që u liruan nga Hamasi pas shumë ditëve të mbajtura peng.

Kjo është hera e parë e lirimit të pengjeve, prej sulmit të armatosur të Hamasit në Izrael, më 7 tetor.

Judith dhe Natalie Raanan, janë dy të liruarat.

Ato kanë qenë në një vizite te të afërmit në Nahal Oz kibbutz, në jug të Izraelit, afër Gazës, kur janë kidnapuar.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e kryeministrit izraelit, është konfirmuar lirimi i dy grave nga “organizata terroriste Hamas”.

Në deklaratë është thënë se ato janë marrë nga forcat e sigurisë në kufi me Rripin e Gazës dhe tani janë duke shkuar në një bazë ushtarake izraelite, ku janë duke i pritur familjarët.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se është tejet i lumtur që dy gratë e liruara do të bashkohen shpejt me familjen.

“Si president, nuk kam prioritet më të madh sesa siguria e amerikanëve që mbahen si pengje nëpër botë”.

Aktualisht besohet se Hamasi i ka edhe 200 pengje tjera.

Në sulmet e këtij grupi më 7 tetor janë vrarë 1.400 persona, kryesisht civilë.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, i cili e udhëheq Rripin e Gazës, dhe është duke nisur vazhdimisht raketa në drejtim të atij rajoni me 2.3 milionë banorë, të cilët janë nën rrethim të plotë dhe pa ushqim, ilaçe dhe burime të energjisë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka vizituar të premten pikën kufitare mes Gazës dhe Egjiptit, dhe ka thënë se ndihma humanitare duhet të zhbllokohet sa më shpejt që është e mundur.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, të paktën 4.137 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, dhe mbi 13.000 persona janë plagosur.

OKB-ja ka thënë se mbi 1 milion njerëz mund të jenë pa strehë mbi kokë.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka thënë të premten se arritja e synimeve të Izraelit nuk është as e lehtë, as nuk mund të ndodhë shpejt.

“Ne do ta rrëzojmë organizatën Hamas. Ne do ta shkatërrojmë ushtrinë e tij dhe infrastrukturën qeverisëse. Është fazë që nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë çmim”, ka thënë ai para një komisioni parlamentar.

Ai ka thënë se qëllimi kryesor është që të Izraeli të mos kërcënohet nga Gaza.

“Nuk është një ditë, as një javë, dhe fatkeqësisht as një muaj”, ka thënë ai, duke iu referuar afateve kohore se kur do të mund të jetësohen synimet e vendit të tij.