Biznesi i ‘krijimit’ të foshnjave po lulëzon, me rritjen e infertilitetit në popullatë.

Por sa u rëndon familjeve kjo procedurë dhe cilat janë problematikat shoqëruese të sektorit?

Thua fjalën “treg” dhe çfarë të vjen në mendje? Tregjet financiare, tregje në pasuri të paluajtshme, tregje për makina, tregje të produkteve ushqimore.

Por një treg në fertilitetin njerëzor: in vitro, nënat surrogate, vezë të ngrira?

Bebet ose mjetet për t’i bërë ato, nuk supozohet të shiten. Ata nuk supozohet të blihen. Ata nuk supozohet të kenë çmime të fiksuara mbi to.

Por ka një treg për foshnjat, një treg që shtrihet në të gjithë globin dhe përfshin qindra mijë njerëz.

Ajo që ka krijuar këtë treg është kërkesa e lartë dhe e vazhdueshme nga njerëzit të cilëve u është mohuar bekimi i riprodhimit natyral, bashkuar me një ofertë të gjerë dhe në rritje të vazhdueshme të mënyrave për të lindur foshnja, kur forma natyrale rezulton e pamjaftueshme.

Ky “treg” përfshin biznese të tilla si klinikat fitimprurëse të fertilitetit dhe spitalet private, që ofrojnë shërbime të tilla, shpesh me shuma të majme.

Norma e fertilitetit në Shqipëri ka hyrë në një trend në rënie që prej 2013-s. Në vitin 2017, norma mesatare e fertilitetit ishte 1.48, nga 1.54 që ishte një vit më parë.

“Është rritur shumë mosha e shtatzënisë së parë, femrat kanë prioritet të arsimohen dhe të gjejnë një punë të mirë e më pas mendojnë për shtatzëni”, tha Dr. Irena Berati, mjeke gjinekologe në Qendrën Shëndetësore nr.9

Por një tjetër faktor shumë i rëndësishëm që pengon shtatzënitë te çiftet janë sëmundjet seksualisht të transmetueshme, të cilat, sipas saj, kanë shënuar rritje, kryesisht te moshat e reja. Edhe obeziteti në rritje është një tjetër pengesë, thotë më tej doktoresha.

Infertilteti haset më shpesh te femrat se sa te meshkujt në Shqipëri. Te meshkujt, konsumi i lëndëve narkotike dhe stresi ndikojnë në dobësimin e spermatogenit, çka i bën ata të arrijnë me vështirësi ngjizjen apo t’i kthejë në infertil.

Situata në vend

Spitalet private, prej më shumë se 15 vitesh, ofrojnë shërbim mjekësor dhe multidisiplinor për trajtimin e infertilitetit, duke filluar që nga mjekimet e thjeshta, e deri te mjekimet më të fundit, si dhe kryejnë procedurën e Fertilizimit in Vitro.

Fertilizimi in vitro është një nga teknikat më të përdoruara në rastet kur në mënyrë natyrale është e pamundur shtatzënia.

Diagnoza dhe trajtimi i infertilitetit është i gjatë, i kushtueshëm dhe arritja e rezultateve kërkon kohë dhe shpesh procedura përsëritet deri në disa herë. Kërkesa për shërbime që trajtojnë infertilitetin është në rritje, për shkak të rritjes së incidencës së infertilitetit primar dhe sekondar në popullatë.

Vihet re rritje e prevalencës së infertilitetit primar dhe sekondar, jo vetëm në vendin tonë, por dhe në nivel global. Kjo prevalencë vjen në rritje dhe mendohet se do të vazhdojë të ketë një trend të tillë rritjeje për shkak të shtimit të faktorëve që veprojnë mbi të.

Infertiliteti është i lidhur edhe me faktorë të stilit të jetesës, si pesha trupore, duhanpirja dhe stresi. Përparësitë e mëdha në trajtimin e infertilitetit, duke përdorur teknologjitë e riprodhimit të asistuar (ART), kanë bërë të mundur që shumë individë/çifte të kenë fëmijë me asistencë mjekësore, pavarësisht origjinës së problemit.

Për një cikël të plotë fekondimi in vitro (IVF) në Shqipëri, ashtu si në të gjithë Europën, duhen mesatarisht 4.000 euro.

Megjithatë, nga burimet spitalore mësuam se çmimet ndahen në dy pjesë, një pjesë u takon analizave paraprake dhe ilaçeve, që fillojnë nga 1000 euro deri në 2500 euro dhe pjesa e dytë i takon fekondimit in vitro, që varion nga 2400 euro e lart, sipas specifikave të secilit çift.

Pra, në tërësi një seancë e fekondimit artificial kushton rreth 5000 euro. Në rast se përsëritet, seanca e dytë kushton sërish 2400 euro, pa përfshirë setin tjetër të ilaçeve.

Shanset që një IVF të rezultojë e suksesshme llogariten 65%. Ajo çka duhet llogaritur është fakti që individëve/çifteve mund t’u duhet më shumë se një cikël IVF për të pasur sukses, pra, kostoja është edhe më e lartë se ajo e një cikli.

A ekziston në vendin tonë mundësia që të kryhet kjo procedurë pa kosto. Jo!

Vendet europiane si Austria, Belgjika, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Greqia, Gjermania, Hungaria, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia, etj., ofrojnë mbulim pjesor ose total të Fertilizimit in Vitro.

Në Shqipëri, aktualisht kryhen çdo vit rreth 1000 cikle fekondimi in vitro (shifra jozyrtare) nga 3000 që duhet të bëhen në bazë të të gjithë llogaritjeve të bëra nga Shoqata Europiane e Embriologjisë dhe Riprodhimit Human (ESHRE).

Kjo do të thotë që 2000 ciklet e munguara çdo vit nuk kanë mundësi ta marrin trajtimin. Dhe 2000 cikle fekondimi in vitro nënkupton 4000 partnerë që kanë një barrë ekonomike që lidhet me këtë çështje.

Në vitin 2012, një projekt i nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian kishte si objektiv realizimin e fekondimit in vitro në strukturat shtetërore brenda vitit 2013.

Projekti, me vlerë prej 25 milionë lekësh, u publikua në tetorin e vitit 2012 dhe rezultatet e para, sipas deklaratave të muajit tetor, do të ishin nga 9-12 muaj më pas.

Asokohe u bë e ditur se përmes projektit u dërguan profesionistë të fushës përkatëse (obstetër gjinekologë dhe embriologë) për kualifikim në Itali.

Gjithashtu u deklarua se nga ky projekt do të përfitonin falas metodën e riprodhimit të asistuar të gjithë ata qytetarë që paguanin sigurimet shëndetësore, ndërkohë që do të përcaktoheshin kriteret dhe procedurat e përfituesve nga i gjithë vendi, në bazë të prioriteteve që do të vendoste institucioni shëndetësor dhe stafi i ekspertëve.

Drejtuesit e maternitetit “Koço Gliozheni” nënshkruan projektin nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Europian. Dhe prej asaj kohe, në këtë maternitet është ngritur kabineti, i cili është i pajisur me aparaturat.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar shumë vite nga koha kur pritej të përurohej, kabineti ende nuk funksionon.

Lidhur me statistikat se sa fekondime in vitro kryhen mesatarisht në klinikat private, spitalet private të kontaktuara nga “Monitor” thonë se këto janë shifra konfidenciale.

Por, mjekët deklarojnë që janë shifra në rritje, sepse gjithnjë e më shumë po konstatojnë çifte që kanë probleme me fertilitetin.

Çfarë lloj tregu?

Infertiliteti mund të jetë tragjik për shumë çifte që duan që të bëhen prindër. Normat shumë të ndryshme të suksesit në “prodhimin e embrioneve” (siç e quan një mjek) nënkuptojnë gjithashtu trajtime të përsëritura. Dhe kjo nënkupton para më shumë.

“Njerëzit nuk e dinë se cilat do të jenë kostot, sepse ata nuk e kuptojnë se cilat janë probabilitetet”, – shpjegon mjekja obstetër Denisa Bajraktari.

“Kur njerëzit duan fëmijë dhe nuk mund t’i kenë, kërkesa është ndoshta më e thellë dhe më e fortë se çdo gjë tjetër”, – thotë ajo. “Steriliteti prek 10 deri në 15% të çdo popullsie, por për shekuj me radhë nuk ka pasur ‘ofertë’ për të përmbushur kërkesën përveç formës së adoptimit.

Gjersa mbërritëm te format si Fertilizimi in Vitro”-shpjegon ajo.

Tregu është i parëndësishëm për rreth 85% të popullsisë, pra për ata me fat që të krijojnë fëmijët në mënyrën e vjetër. Por i kërkuar për pjesën tjetër.

Dhe përveç kësaj, vitet e fundit, “tërheqës” edhe për të huajt që e marrin si shërbim turizmi shëndetësor, për shkak se Shqipëria është ndjeshëm më e lirë se sa pjesa më e madhe e vendeve europiane, sipas të dhënave të bëra publike nga klinika e fertilitetit pranë Hygeia.

Është një treg i veçantë, një treg që nuk ka gjasa të zgjerohet përtej një segmenti klientësh, që e përmendëm më lart, të cilët vuajnë nga infertiliteti.

Por me shërbime të shtrenjta. Shumica e këtyre klientëve të mundshëm, për më tepër, nuk përfitojnë kurrë nga asnjë formë lehtësie shtetërore për këto shërbime.

Ata që hyjnë në treg janë padyshim më të pasur dhe më të arsimuar se mesatarja, duke paguar mesatarisht 4000 euro një cikël mesatar të fekondimit in vitro.

Diçka që konstatohet për tregun është se, është padyshim monopol i klinikave private, për sa kohë institucionet shtetërore nuk e ofrojnë ende.