Qeveria do të vijojë me rritjen e pagave në 2024 kryesisht në sektorët prioritarë si shëndetësia, arsimi, siguria, mbrojtja.

Kjo u parashikua në strategjinë afatmesme buxhetore 2024 -2026 publikuar në Fletore Zyrtare para disa javësh.

Kështu për vitin 2024, parashikohen të përfitojnë nga rishikimi i politikës së rritjes së pagave mjekët, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Garda dhe punonjësit e burgjeve.

Parashikohen të përfitojnë nga rishikimi i politikës së rritjes së pagave

-Rreth 18,858 punonjës të Sistemit Shëndetësor, ku përgjatë dy viteve do të realizohet rritja mesatare për mjekët dhe infermierët që varion nga 26-34% të pagës bruto;

 -6,756 punonjës të Forcave të Armatosura që përfitojnë rritje të pagës për gradë me 4- 22% për vitin 2024;

 -Rreth 12,120 punonjës të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, të cilët përfitojnë rritje të pagës për gradë me 7 % për vitin 2023 dhe 21-35% në vitin 2024;

-Rreth 3.566 punonjës të Policisë së Burgjeve, të cilët përfitojnë rritje të pagës për grade me 7% për vitin 2023 dhe 22-36% në vitin 2024;

Shtesa do të aplikohet në muajin prill

Si fillim prioritet kryesor do të marrin mjekët, në mënyrë që të përdoret si një masë për të parandaluar eksodin në radhët e tyre.

Shtesa do të aplikohet në muajin prill ndërsa përveç mjekëve të përgjithshëm, nga skema do të përfitojnë edhe infermierët.

Detajet u zbuluan dje nga zv/ministrja e Shëndetësisë Entela Ramosaçaj. Në muajin prill të këtij viti për mjekët specializantë rritja e pagës ishte me 50 mijë lekë në muaj.

Ndërsa për mjekët e përgjithshëm dhe infermierët me 7 për qind.

E ftuar në emisionin “Box to Box” në televizionin “Scan”, zv/ministrja u ndal edhe tek programi i kreditimit me interes zero për profesionistët e shëndetësisë, për të cilët janë ofruar 100 kuota.

Të favorizuar veç atyre të cilët punojnë larg qendrës së banimit janë edhe ata me kontrata pune me afat të pacaktuar.