Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, pas ironisë që ky i fundit bëri sot kur shpjegoi pse mban trëndafil në maskë.

Në një postim në rrjete sociale, Meta e konsideron Ramën zëdhënës të armiqve të Kombit dhe si person që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën.

Sipas Metës, Rama, të cilin ai e quan Esat i Rilindjes, duke nënkuptuar Esat Pashë Toptanin, nuk ka respekt për dëshmorët e Atdheut që kanë humbur jetën në luftën Nacionalçlirimtare.

POSTIMI I METËS

Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun!

Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave.

Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET!

TRE MILIONË ILIRË NË 25 PRILL I KA GATI!

Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua?

Mezi po të pres!