Kreu i bordit të drejtorëve të Lukoil, Vladimir Nekrasov, vdiq papritur në moshën 66-vjeçare. Lajmi është bërë e ditur nga kompania ruse e naftës, siç raporton agjencia mediatike ruse “Tass”.
“Me keqardhje të thellë njoftojmë për vdekjen e papritur të Kryetarit të Bordit të Drejtorëve të PJSC Lukoil, Vladimir Ivanovich Nekrasov. Sipas konkluzionit paraprak të mjekëve, vdekja ka ndodhur si pasojë e insuficiencës akut të zemrës”, thuhet në njoftim.
I lindur në vitin 1957, Nekrasov kishte punuar në industrinë e naftës dhe gazit për gati 50 vjet.
Kreu i mëparshëm i bordit të Lukoil, Ravil Maganov, vdiq në shtator të vitit 2022 pasi ra nga dritarja e spitalit në Moskë.
Disa biznesmenë rusë, shumica me lidhje me industrinë e energjisë, kanë vdekur papritur në rrethana të paqarta pas fillimit të asaj që Moska e quan operacionin e saj special ushtarak në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.