Gazetari i televizionit të njohur të Katarit, Al Jazeera, Wael Dahdouh, kishte mbuluar pa pushim rindezjen e konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve.

Dhe pikërisht gjatë raportimeve mbi tmerret e luftës në Gaza, i mbërriti lajmi se në mesin e viktimave ishin dhe anëtaret e familjes së tij. Gruaja, vajza dhe djali i korrespondentit arab të Al Jazeera, humbën jetën kur një bombë ra mbi shtëpinë në të cilën ata ishin strehuar. Ishte kryeredaktori i televizionit, Mohamed Moawad, që përcolli lajmin e trishtë në rrjetet sociale, duke e shoqëruar dhe me pamjet rrëqethëse të reporterit që përpiqet të mbajë veten, por tronditja dhe dhimbja është me fortë se ai.

“Gruaja, vajza dhe djali i gazetarit tonë të guximshëm Wael Dahdouh janë vrarë gjatë sulmeve ajrore izraelite që goditën shtëpinë në të cilën ata kishin gjetur strehë. Wael mësoi për lajmin e kobshëm ndërkohë që raportonte pandërprerë për sulmeve izraelite në Gazë”, ka shkruar Moawad.

Trupat dhe tanket izraelite  kryen gjatë natës një sulm të shkurtër tokësor në veri të Rripit të Gazës. Kjo u pohua edhe nga Ushtria e Izraelit e cila njoftoi se kishte goditur disa objektiva të militantëve, me qëllimin që “të përgatiste fushëbetejën” për pushtimin e pritshëm tokësor të enklavës, pas më shumë së dy javë bombardimesh shkatërruese që kanë marrë me mijëra jetë njerëzish në këtë territor.