Kryeministri Edi Rama ka biseduar virtualisht për 60 minuta me kancelaren gjermane Angela Merkel pasditen e sotme.

Ndër temat që diskutuan Rama- Merkel ishin Plani i Madh i Investimeve të BE në Ballkanin Perëndimor, Shengeni Rajonal, progresin e shqipërisë pas negociatave dhe kryesimi i OSBE nga Shqipëria që përbyllet në dhjetor.

Ndërkohë Rama, në postimin e tij në Facebook, e konsideron Merkelin si një mike të shkëlqyer që e njeh dhe e kupton Shqipërinë dhe rajonin si dhe e ndjek me vëmendje të posaçme.

“Me Kancelaren Merkel, biseduam pak më parë për rreth 60 minuta mbi Planin e Madh të Investimeve të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e mëtejshme drejt Shengenit Rajonal; progresin e Shqipërisë pas vendimit për çeljen e negociatave dhe përpjekjet në vijim drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE, si edhe kryesimin e suksesshëm të OSBE nga Shqipëria dhe sfidat deri në përmbylljen e mandatit tonë në dhjetor.

Edhe njëherë si gjithnjë, kënaqësi e veçantë biseda me Kancelaren gjermane, një mike e shkëlqyer që e njeh, e kupton dhe e ndjek rajonin tonë e Shqipërinë gjithashtu, me detaje e vëmendje krejt të posaçme!”, shkruan Rama.