Kryeministri Edi Rama ditën e sotme ka inspektuar punimet në kantierin e lagjes së re që do të ndërtohet në Fushë-Krujë.

Pavarësisht se po binte shi, Rama ka zgjedhur që të mos përdorë çadër por vetëm një mushama me kapuç dhe ka ecur në drejtim të kantierit. Një gjë tjetër që ra në sy ishte maska e veçantë me trëndafil të kuq që ishte stampuar në anën e majtë.

Sipas Ramës, e projektuar sipas një koncepti krejtësisht të ri të komplekseve të banimit, lagjja e re do të ketë një standard komplet ndryshe nga ai që goditi tërmeti.

Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha se do të jenë 128 shtëpi individuale të formatit 1+1, 2+1 dhe 3+1, ndërsa sipas drejtuesit të punimeve, në harkun kohor të dy javëve do të jenë gati edhe projektet finale për pallatet e kësaj zone.

“Pavarësisht motit duhet të punojmë pa pushim, sepse pësuam një vonesë jashtë vullnetit tonë, me ndalimin komplet nga karantina e përgjithshme. E dimë që tani, në këto kushte po vështirësohet puna për shkak të motit, por kjo është sakrifica që duhet bërë e do ta bëjmë sepse nuk duhet të vonohemi më tutje për asnjë shkak”, u shpreh Kryeministri Rama.

15 pallate banimi me 100 apartamente, 128 shtëpi individuale, shkolla, qendra shëndetësore, zyra shërbimesh publike, zona të gjelbra dhe një treg modern për produktet e zonës do të shtrihen në 10 hektarë truall dhe do të ndryshojnë rrënjësisht cilësinë e jetës së banorëve, që do ta rinisin atë me standarde më të mira, më të forta e me më shumë hapësira publike për ta.​