Në konfliktin e tij të fundit me presidentin e Republikës, Edi Rama është justifikuar para socialistëve se nuk ishte ai që e shpuri Ilir Metën drejt postit të kryetarit të shtetit. “Meta u bë president me votat e veta” tha ai gjatë asamblesë së fundit të PS-së duke elaboruar më shumë një tezë që ai vetë dhe socialistë të tjerë e kanë përsëritur edhe më parë.

Por është interesante të ndalemi te justifikimi i Ramës këtë radhë pasi ai këtë herë faktit se Meta u bë vetë president, i ka shtuar edhe argumenta të tjerë. Ashtu sikurse duket edhe në videon më poshtë, Rama thotë se nëse ai e pengonte Metën drejt presidencës vendi mund të shkonte drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe kjo krizë do të qe e panevojshme. E dyta që thotë ai është se edhe nëse provokoheshin zgjedhjet si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, nuk dihej se çfarë do të dilte nga parlamenti i ri që do të dilte pas zgjedhjeve.

Pikërisht këtu Rama manipulon. Logjika e tij cedon edhe moralisht edhe faktikisht.

Së pari, asnjë forcë e përgjegjshme politike nuk zgjedh për kryetar shteti një njeri që e ka telendisur në rastin e videopërgjimit të famshëm, që e ka portretizuar me ngjyrat me të cilat Rama e përshkruan tek “Kurbani” dhe për të cilin ajo rendit fushatën e shpifjeve që artikulon sot.

Së dyti, shumë analistë që ishin pranë Ramës dhe Metës në kohën e bashkimit të tyre më 1 prill 2013 pohojnë se shpënia e shefit të LSI-së në presidencë qe pjesë e paktit mes tyre, pa shumë kohë më parë sesa të dihej ekuilibti i votave që do të rezultonte pas përmbysjes së Berishës.

Po le të marrim argumentat që Rama ka shtuar sot. Rama gënjen kur thotë se po të mos e zgjidhte Metën president, do shkaktoheshin zgjedhje të parakohshme. Por ai bën sikur harron se socialistët e votuan Ilir Metën më 28 prill 2017, në ditët e fundit para mbylljes së parlamentit. Zgjedhjet do të zhvilloheshin në javën e dytë të qershorit dhe pas marëveshjes së 17 majit u shynë me shtatë ditë. Pra rreziku i zgjedhjeve të parakohshme që përdor Rama si justifikim nuk ekzistonte, sepse në prag ishin zgjedhjet e radhës. Pra parlamenti mund ta bënte procedurën e zgjedhjes së kreut të shtetit, mund të dështonte dhe kjo nuk do kishte më asnjë efekt se zgjedhjet tashmë ishin afër.

Rama bllofon gjithashtu kur thotë se edhe edhe po ta linte zgjedhjen e kreut të shtetit për parlamentin e ri, prapë nuk dihej se si do qe ekuilibri i votave. Pra ai bën sikur haron se ai në zgjedhjet e qershorit 2017 e bëri gjithë fushatën me pretendimin për ta marrë timonin i vetëm sepse kështu i bëhej më mirë Shqipërisë. Pra nëse fushatata “Më lini të qeveris” pa pengesa nuk ka qenë një kalkulim i minutave të fundit, por një strategji, për të bërë më shumë punë, Rama nuk kishte pse mos priste njëherë votën e qytetarëve dhe pastaj të vendoste edhe një president sipas frymës së kësaj vote.

Por Rama e zgjodhi i bindur dhe me votat e veta Ilir Metën president. Ai bëri llogarinsë se duke e degdisur në atë post honorifik do ta hiqte qafe nga konkurenca brenda së majtës dhe do të dobësonte LSI-në.
Por tani që i ka ngecur sharra në gozhdë, fillon e gënjen sikur ai nuk është përgjegjës për kryetarin e shtetit që kemi sot.

Burimi: Lapsi.al