Situatë e rënduar në lagjet nr.16 dhe 18 në Durrës. Reshjet e shiut të orëve të fundit kanë rritur nivelin e ujit në rrugë, duke vështirësuar së tepërmi lëvizshmërinë e këmbësorëve.

Pamjet filmike që sjell operatori i “DurësLajm” dëshmojnë problematikat me të cilat janë ndeshur shumë prindër për të çuar fëmijët në shkollë, duke kaluar mes për mes rrugëve të bllokuara nga uji.

Niveli i ujit në rrugë ka arritur disa centimetra, ndërsa dhe automjetet po ndeshen me vështirësi në qarkullim.

Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh, kur rrugët e Durrësit përmbyten nga reshjet e shiut. Situatë e ngjashme u krijua edhe të premten e javës së kaluar, kur për rreth 2 orë kaosi mbizotëroi në shumë akse rrugore dhe lagje të qytetit për shkak të reshjeve të dendura dhe pamundësisë së sistemit të kanalizimeve për të larguar në kohë sasinë e madhe të ujit të akumuluar në disa rrugë.