Diabeti është një nga sëmundjet me përhapjen më të madhe në të gjithë botën, sidomos pas pandemisë. Përjashtim nuk mund të bënte as Durrësi.

“Shifrat janë në rritje, diabeti ka një përhapje të madhe. Vihet re rritje e shifrave jo vetëm për diabetin e tipit 2, (preken të rriturit), por edhe diabetit tip 1, që prek fëmijët. Pas pasdemisë kemi një shtim të numrit të rasteve”,– thotë për “DurrësLajm” mjekja endrokrinologe Lindita Dedej.

14 nëntori është dita botërore e luftës kundër diabetit dhe për të ndërgjegjësuar popullsinë ndaj rreziqeve që paraqet kjo sëmundje stafi mjekësor i spitalit të Durrësit po zhvillon fushata depistimesh në hapësira publike. Pandemia Covid-19 duket se është shkaktarja kryesore e rritjes së ndjeshme të rasteve.

Sëmundjet e rënda, siç ishte pandemia Covid-19  bëhen shkak për shpërthimin e sëmundjeve kronike, që në disa raste janë të fshehura. Ndikim kanë pasur edhe terapitë e përdorura, siç ishin kortizonikët në doza të larta, të cilët kanë lënë pasoja. Arsye të tjera të shtimit të rasteve janë jeta sedentare etj.“,- deklaron mjekja Dedej.

Mjekët endokrinologë flasin për shifra të larta të të sëmurëve nga diabeti që kanë humbur jetën, pasi janë prekur nga Covid-19.

Statistikat nga spitali rajonal i Durrësit bëjnë të ditur se janë rreth 7-8 mijë pacientë të prekur në qarkun tonë, ose 5-6% e popullsisë.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se rreth 3400 të prekur marrin ilaçe me rimbursim.

Çdo vit në vendin tonë ekzaminohen deri në 4 mijë raste të reja me diabet, ndërsa në të gjithë vendin janë rreth 80 mijë qytetarë të prekur.

M.B.